​Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

dinari-serb-120920

Përdorimi i dinarit serb në veri por edhe në zonat tjera të vendit, po i shkakton dëme buxhetit të shtetit të Kosovës miliona euro, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Nysret Maxhera, ka bërë të ditur për KosovaPress, se përdorimi i dy valutave brenda një shteti, rrënon sistemin financiar dhe ekzistues të atij vendi.

Ai pranoi se Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit, derisa nuk gjeti shprehje për të shpjeguar siç tha ai, këtë të keqe që po i ndodhë shtetit të Kosovës.

“Në një shtet nuk mund të ketë dy valuta sepse nëse funksionon edhe një valutë tjetër, kjo ka ndikim jashtëzakonisht të madh në rrënimin e sistemit financiar dhe direkt apo indirekt në rrënimin e sistemit ekonomik ekzistues të një vendi…Dinari hyn në mënyrë ilegale, nuk paraqitet jo vetëm në ATK, por në mjetet e këmbimit të shitblerjes, të pagesave të pensioneve, ndihmave sociale të cilat Serbia gjithmonë i bënë pagesat me dinarë. Është për keqardhje se në kilometrin e katërt nga qendra e Prishtinës, ku kemi qeverinë dhe të gjitha organet tjera shtetërore që duhet të jenë funksionale, mjet pagese është dinari…Ne kemi ardhur në një situatë ku nuk mund të bëhet një bilanc i saktë i humbjeve, por sigurisht që këto humbje janë me miliona…Nuk kam fjalor me shpjeguar këtë të keqe e cila i ndodhë Republikës së Kosovës me çështjen e funksionimit si mjet pagese të dinarit të Serbisë”, ka thënë Maxhera.

Ai shtoi se kjo çështje duhet patjetër të jetë një prej temave që duhet trajtuar në bisedimet të cilat po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, avokati Musa Damati, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 11, paragrafi 1, përcakton euron si valutë zyrtare në Kosovë.

Sipas tij, derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale dhe jokushtetuese.

Ai potencoi se institucionet financiare të vendit duhet të përdorin mekanizma për luftimin e kësaj dukurie, duke identifikuar burimet, siç janë disa banka të cilat operojnë me dinarë, dhe sasia e valutave të cilat konstatohet se janë ilegale të sekuestrohet.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne