A do të vazhdojë Kosova ta përdorë ilaçin Remdesivir edhe pas rekomandimit të OBSh-së për mopërdorimin e tij te pacientët me CoViD?

50050267328_baf7b2df96_o-1068x712

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në mëngjesin e së premtës ka dalë me një njoftim duke këshilluar mospërdorimin e ilaçit antiviral Remdesivir për pacientët e infektuar me CoViD. Por, në lidhje me këtë në Kosovë ende nuk ka ndonjë vendim për këtë medikament. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vendimin për këtë duhet ta marrin mjekët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në një përgjigje të shkurt për Gazetën Objektiv pohoi se për përdorimin e këtij ilaçi do të vendosin doktorët.

“Doktorët vendosin a përdorët një ilaç a jo”, tha shkurt Hoti.

Infektologu Ilir Tolaj për Objektiv thotë se studimet që ishin bërë në të kaluarën tanimë janë vërtetuar nga OBSh-ja.

Duke ju referuar studimit të revistës mjekësore angleze BMJ për këtë medikament, Tolaj thotë se Remdesivir nuk ka asnjë efekt pozitiv dhe se i njëjti përcillet me efekte anësore te pacientët kur përdorët për kurimin e koronavirusit.

“Studimet e mëhershme që nuk ishin shumë optimiste për efektin e Remdesivir në mjekimin e të sëmurëve me COVID-19, u vërtetuan me studimin e bërë nga OBSH, studim ky që është botuar në revistën prestigjioze për studime mjekësore BMJ. Në bazë të këtij studimi, del se Remdesivir nuk ka as edhe një efekt pozitiv në ecurinë e sëmundjes COVID-19, ndërsa ka efekte anësore serioze në organizmin e personave në të cilët ky ilaç jepet”, tha Tolaj.

Ai konsideron se institucionet shëndetësore në Kosovë duhet ta ndalojnë përdorimin e këtij medikamenti, pasi siç vlerëson Tolaj nëse vazhdohet përodimi i tij, kjo rrezikon edhe integritetin e drejtuesve të këtyre dikastereve.

“Për këtë, autoritetet shëndetësore te Kosovës duhet ta ndalojnë përdorimin e tij ne Kosovë dhe gjithashtu te anulojnë blerjen e sasive te konsiderueshme te këtij ilaçi të paefektshëm, gjë që e kanë paralajmëruar në media. Nëse nuk veprojnë dhe nëse e vazhdojnë blerjen atëherë kjo është shenjë e keqe për integritetin e tyre dhe do të zgjojë dyshime serioze për ndershmërinë e tyre” u shpreh mes tjerash infektologu.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi i ka thënë Objektivit se rekomandimi i sotëm i OBSh-së, për mospërdorimin e ilaçit antiviral Remdesivir nuk është obligativ.

‘’Ky është një rekomandim i kushtëzuar i cili nuk është obligativ. Ende vlen aprovimi nga Agjencia e Barnave e cila ka dhënë dëshmitë për efikasitetin e këtij produkti. Po ashtu në protokollet klinike të ministrisë së Shëndetësisë ekziston produkti i Remdesivir dhe mbetet që përshkrimi të jetë sipas rekomandimeve nga klinicistët”, ka theksuar Jakupi.

Medikamenti Remdesivir, i cili po përdorët për trajtimin e pacientëve me CoViD, Jakupi thotë se duhet të merret vetëm nëse vlerësohet nga mjekët e klinikave.

“Do të thotë në asnjë mënyrë të merret nga vet pacientët por që klinicistët duhet ta vlerësojnë se në cilat raste duhet të jepet ky medikament. Do të thotë ende vlene regjistrimi nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe kjo mbetet tani në dorën e klinicistëve që ata të vlerësojnë nëse një pacientë ka nevojë për atë medikament apo jo’,  bëri të ditur ai.

Gjatë ditëve të fund në Kosovë është raportuar se po i njejti ilaç, Remdesivir nga disa kompani farmaceutike është duke u shitur me çmime shumë të larta në treg.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Email: [email protected]


Për ne