Biden përshëndet rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, bën thirrje për bashkërendim me evropianët

biden-1068x601

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur vendimin e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë të publikuar të premten, kandidati i pritshëm i demokratëve në zgjedhjet presidenciale thotë se ky vendim është një hap i rëndësishëm përpara në rajon.

“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen e ndërsjelltë, ruajtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është kritike që Kosova dhe Serbia të avancojnë përpara,” shkruan zoti Biden. Kjo zgjidhje, shprehet më tej ish-nënpresidenti amerikan, do të forconte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve dhe çonte përpara aspiratat e tyre për antarësim në Bashkimin Evropian dhe institucionet ndërkombëtare.

Arritja e këtij synimi, vazhdon zoti Biden, kërkon bashkëpunim transatlantik.

Partneriteti mes SHBA-së dhe Evropës kërkon angazhimin e të gjitha palëve, si dhe përfshirjen dhe udhëheqjen e Amerikës, tha ai.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan kritikon administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkërendojë me emisarët evropianë, të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për afro një dekadë” gjatë planifikimit të takimit të qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Megjithëse takimi u anulua, partnerët tanë evropianë dëgjuan një mesazh të qartë. Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me partnerët evropianë, jo t’u kthejnë atyre shpinën. Kjo është shpresa më e mirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte një të ardhme më të paqtë, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet,” shkruan zoti Biden.

Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e demokratëve si kandidat presidencial në kuvendin e partisë në gusht, shkruan se nëse zgjidhet president, “administrata ime do të punojë për paqen dhe sigurinë në Evropën juglindore dhe do të bashkëpunojë me partnerët e BE-së për ta bërë këtë ëndërr realitet”. Ai u bën thirrje udhëheqësve të të dyja vendeve të përqafojnë “shpirtin e kompromisit dhe ripajtimit në këto bisedime, duke ditur se kanë mbështetjen e plotë të popullit amerikan”.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne