Brukseli paralajmëron bisedime për të gjitha “çështjet e hapura”

BE

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka paralajmëruar se bisedimet në nivel ekspertësh do të zgjasin për sa kohë nuk do të arrihet pajtueshmëri mes Kosovës e Serbisë dhe se në këto takime do të diskutohen “të gjitha çështjet e hapura”.

Deklarimi i Stanos vjen një ditë pas takimit të radhës të koordinatorit shtetëror për dialogun, Skender Hyseni me drejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Bruksel.

Stano ka thënë se çështjet e hapura duhet të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, që më pas t’i hapet rrugë një marrëveshje ligjërisht obliguese.

“Takimet e niveleve të ekspertëve dhe të funksionarëve të lartë do të zgjasin derisa Prishtina e Beogradi të arrihen marrëveshje të pranueshme për të dy palët”, ka thënë Stano, shkruan B92 të premten.

Hyseni të enjten akuzoi palën serbe se ishte jokonstruktive në takimin e fundit dhe se hapi tema, për të cilat tashmë është arritur marrëveshje.

Ndërkohë Stano shtoi se synimi i takimit të Hysenit e Gjuriqit është të përgatitet një takim mes krerëve të shteteve.

“Synimi i takimeve të ekspertëve është që të përgatitet takimi i radhës në nivel të lartë, i cili do të jetë në shtator mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, por edhe që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura të cilat duhet të zgjidhen, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve si dhe drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”, ka thënë Stano.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne