Dushi [LDK]: Osmani me reagimin e saj ndërhyri në pavarësinë e KQZ-së

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, e ka kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin, e cila përmes një letre kërkoi nga KQZ që ta shqyrtojë vendimin për votuesit jashtë vendit.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Dushi ka thënë se Osmani ka ndërhyrë në pavarësinë e KQZ-së me reagimin dhe kërkesën e saj për shqyrtim të vendimit.
“Kjo pjesa që e dëgjuam edhe nga anëtari i KQZ-së, (përfaqësuesi i VV-së Sami Kurteshi) del se ose është keqkuptuar ose nuk është shpjeguar sa duhet”.
“Megjithatë vërejtja ime ka qenë e drejtuar në një tendencë të paprecedent që të provohet nga jashtë të ndikohet puna e KQZ-së – sidomos nga ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani”.
“Reagimi i saj ka qenë krejtësisht i pavend. KQZ është institucion i pavarur kushtetues dhe nuk merr udhëzime as nuk merr këshilla se si duhet të veprojë. Anëtarët e saj betohen për paanësi në punën e tyre”.
Sipas tij, një reagim i tillë ka qenë i papranueshëm për faktin se presidenti e përfaqëson unitetin e popullit.
“Kjo për çka po flasim ne është krejtësisht teknike dhe nuk cenon asnjërën prej atyre që do të provokonte reagimin e presidentit në këtë formë”.
“Ajo vetë do të jetë pjesë e garës; prandaj nuk do të duhej të mundohej t’i diktojë rregullat e lojës në këtë garë”.
“Është ndërhyrje flagrante tendenca për ta diktuar punën e KQZ-së nga cilido institucion tjetër. KQZ është institucion i pavarur dhe janë mënyrat se si mund të ankohesh”.
“Ndërhyrja e këtillë e cila ndodh për herë të parë – një president i drejtohet KQZ-së duke kërkuar të rishqyrtojë vendimin e tij – kjo është ndërhyrje në pavarësinë e KQZ-së”.