Kosova

Kosova

Situata në Mitrovicë nën kontrollin e autoriteteve të rendit

Posted in 16 January 2017

Related article

View archive of news

Situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit, pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në veri të vendit. Kështu vlerësojnë përgjegjësit e institucioneve të rendit në këtë qytet.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e jugut të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se situata në jug të Mitrovicës është e qetë dhe nuk ndërlidhet me ngjarjet që kanë ndodhur ditë më parë në veri.

"Nuk ka diçka të veçantë dhe ndonjë indikacion që ndërlidhet me ngjarjet e veriut të cilat kanë ndodhë ditë më parë. Situata është e qetë, ndërsa policia vazhdon me qasje të rëndomtë sa i përket çështjes së sigurisë", ka thënë Zahiti.

Musa Dragaj, koordinator i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Mitrovicë, tha se pas ngjarjeve të fundit në veri situata aktuale e sigurisë në jug të Mitrovicës është nën tension, por jo e jashtëzakonshme.

Sipas tij, qyteti i Mitrovicës ka specifikat e veta dhe këtu situata mund të ndryshojë brenda një kohe shumë të shkurtër.

"Qyteti i Mitrovicës është më specifik për dallim nga qytetet tjera të vendit dhe situata mund të them se është e qetë, por nën tension. Këtu për një kohë shumë të shkurtër gjendja mund të ndryshojë. Përkundër kësaj, situata është nën kontroll të autoriteteve të rendit", tha për KosovaPress, Dragaj.

Në anën tjetër, edhe zëvendës drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e ka përshkruar si të qetë dhe pa probleme situatën e përgjithshme në veri Mitrovicës.

"Situata e përgjithshme në veri është e qetë dhe pa probleme", ka thënë shkurt Hoti.