Grenell i reagon Biden-it për bisedimet Kosovë-Serbi

Grenell-1

Përfaqësuesi i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell akuzoi Ish-zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden,  se po e politizon procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Grenell në një seri postimesh në Twitter, garanton “se asgjë nuk do të avancojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të detyrohen të presin përsëri që të mos përdoren nga politikanët”.

“Në dallim nga taktika e llafeve pa vepra e Biden-it,” shprehet më tej zoti Grenell, “administrata Trump është e përqendruar tek hedhja e hapave të parë të rëndësishëm të normalizimit ekonomik mes dy vendeve”.

“Populli i Kosovës dhe ai i Serbisë e dinë se nuk ka krahasim mes tetë vjet premtimesh boshe të administratës Obama-Biden dhe veprave të administratës Trump”.

Grenell përmend marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor e rrugor mes dy vendeve të arritura me angazhimin amerikan si shembull se administrata Trump ka arritur “rezultate të dëshiruara prej kohësh dhe Joe Biden vetëm vazhdon e flet, ashtu siç ka bërë për 40 vjet në Uashington”. Joe Biden, shkruan më tej Ambasadori Grenell, ka qenë gabim në thuajse çdo vendim të rëndësishëm të politikës së jashtme, prandaj “nuk ka asgjë për t’u çuditur që ai përsëri ofron vetëm fjalë e premtime boshe për popullin e Kosovës e Serbisë”.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë ishin në plan të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për bisedime me ndërmjetësimin e SHBA. Takimi u anulua pas njoftimit për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Thaçi nga Prokurori i Specializuar në Hagë.

Ambasadori Grenell është shprehur se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa ka shprehur mbështetje për përpjekjen e evropianëve për rifillimin e bisedimeve.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne