Haradinaj-Stublla: Pas verifikimit, është liruar veterani i UÇK-së që ishte ndaluar në Shqipëri

Meliza Haradinaj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza haradinaj Stublla ka biseduar me homologun e saj shqiptar, Gent Cakaj pasi Policia e Shqipërisë, sipas një urdhër-arresti të Serbisë, e ka ndaluar veteranin e UÇK-së, Murtez Kastrati.

Për ndalimin e Kastratit nga policia shqiptare, ka njoftuar kryetari i Organiztës së Veterantëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

Pas kësaj, ka reaguar kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj Stublla, e cila nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se për këtë çështje ka folur me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Sipas saj, Cakaj e ka njoftuar atë se Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para dyorësh.

“Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës. Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë. Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!”, ka shkruar Harandinaj-Stublla.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne