Hoti thotë se Kosova s’do të shndërrohet në shtet policor, por kërkon respektim të masave

hoti-11

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar për hapat që sipas tij do t’i marrin institucionet e vendit për ta frenuar përhapjen e COVID-19.

Ai ka thënë se për të diskutuar për këtë sot ka mbajtur takim edhe me krerë të institucioneve shëndetësore.

“Bashkë me Ministrin Zemaj, drejtorin e SHSKUK-së, Drejtorin e IKSHP-së dhe me ekspertë shëndetësorë, sot kemi vlerësuar situatën me covid-19 dhe përgatitjet që duhet të ndërmarrim në javët në vijim. Është vlerësim i përgjithshëm se momentalisht (në mungesë të vaksinës) i vetmi shpëtim është zbatimi rigoroz i masave: maska, distanca, higjiena dhe evitimi i grumbullimit në masë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore janë në maksimumin e kapaciteteve të tyre. Në javët në vijim duhet të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësorë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se pas këtij diskutimi, me ministrin Veliu, Drejtorin e Policisë, Kryeshefin e AVUK-ut dhe Drejtorin Ekzekutiv të Asociacioni të Komunave të Kosovës, kanë bërë konsultimet e nevojshme për punën e përbashkët në terren të policisë dhe inspektoratit në mbikëqyrje të masave.

“Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat”, ka shkruar Hoti në Facebook.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne