Kastrati befason kur tregon moshën në të cilën ka filluar të merret me futboll

lirim

Reprezentuesi i Kosovës, Lirim Kastrati, është duke u përgatitur me Dinamon e Zagrebit për vazhdimin e kampionatit. Ai ka dhënë një intervistë për “Sportske Novosti”, ndërsa ka theksuar se ka nisur të ushtrojë futboll si 17-vjeçar.

Kastrati, 21-vjeçar, prej vitit 2017 ishte te Lokomotiva e Zagrebit. Vitin e kaluar u transferua te Dinamo. Para se të kalonte te Lokomotiva, ishte te një shkollë tiranase e futbollit dhe te disa shkolla kosovare të futbollit.

Gazeta kroate ka bërë pyetje për Kastratin duke komentuar se prej vitit 2017, pas kalimit te Lokomotiva, ka nisur me stërvitje të organizuara.

“Po. Shumë njerëz këtë nuk e dinë. Shumë prej tyre pas ndeshjeve dërgojnë porosi në Instagram e Facebook, por unë nuk i shikoj ato. Kam filluar të ushtroj me 17 vjet dhe nuk më vjen turp ta pranoj këtë. Ndërsa njerëzit sikur presin që për dy vjet të jeni Messi apo Ronaldo. Unë dua më shumë se ata që më shkruajnë ‘nuk ke lidhje’, që të përmirësoj teknikën. Këto fyerje zgjasin që nga koha te Lokomotiva, por nuk u kushtoj më rëndësi. Dua të them se pak kohë ka kaluar që si lojtar të dukem si duhet. Për mua është nder që luaj në Dinamo. Prejse jam këtu, jam shumë i kënaqur se sa hapësirë me jep trajneri, me gjithë mungesat që shihet se i kam dhe gabimet që i bëj. Asnjëherë nuk do të harroj këtë dhe gjithnjë do të jem falënderues. Mbani mend, do të flasim për një vit sërish dhe do të shihni dhe të krahasoni se si dukem tani dhe si do të dukem atëherë”, ka thënë Kastrati, që shquhet për shpejtësinë dhe shpërthimet në krah.

Ai është pyetur edhe për golin për Kosovën në fitoren 1:0 ndaj Moldavisë.

“Ishte goli i parë për përfaqësuese. Deri atëherë ishte goxha vështirë, kam luajtur vetëm nga dhjetë minuta në fund. Konkurrenca është e madhe, vetëm në ndeshjet e fundit kam startuar dhe për këtë më ka ardhur mirë që kam shënuar dhe që kemi fituar. E rëndësishme është përfaqësuesja, por më i rëndësishëm është klubi. Këtu jam çdo ditë, ndërsa reprezentacioni është tri herë në vit. Kështu që mendoj vetëm për Dinamon, ndërsa për reprezentacionin kur të vijë koha. Po përgatitemi mirë dhe jam i bindur që do të dukemi dukshëm më mirë se në vjeshtë”, ka theksuar Kastrati.

Ai është shumë i kënaqur me përgatitjet te Dinamo.

“Për herë të parë jam në përgatitje me Dinamon, është ndryshe prej të gjitha përgatitjeve të deritashme me kualitet dhe intensitet. Më vjen mirë që kam ardhur te Dinamo, si ushtrojmë dhe si luajmë. Jam i bindur se sërish do të arrijmë rezultate kulmore si në skenën vendore ashtu edhe në Evropë”.

Kastrati ka treguar se po punon edhe në mënyrë individuale me një trajner të Dinamos dhe se është përmirësuar në shumë aspekte.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Email: [email protected]


Për ne