Kushtetuesja ende pa vendim

gjykata-kushtetuse

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e shumëpritur, nga i cili varen rrjedhat politike në vend.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur sot prej orës 13:00 në një seancë për të marrë vendimin rreth kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e të nominuarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hotit për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj, Kushtetuesja ende nuk e ka bërë publik aktgjykimin e saj.

E premtja e 29 majit, është afati i fundit, kur Gjykata Kushtetuese do të shpallë aktgjykimin lidhur me këtë lëndë.

Ekspertë të kushtetutshmërisë, kanë thënë se Kushtetuesja mund edhe të shtyjë afatin e caktuar nga ajo vet, nëse i duhet kohë për ta marr një vendim të tillë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një protestë, duke paralajmëruar kundërshtimin e saj për krijimin e një qeverie të re, me kërkesën për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Partitë tjera politike, ndërkaq kanë thënë se do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përmbajtjes së tij.

Diplomatët ndërkombëtarë, u kanë bërë thirrje palëve të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne