Mungesë e madhe bombolash oksigjeni në QKUK, stafi shëndetësor i bartë nga dhoma në dhomë

Klinika-Infektive-Prishtine

Përveç mungesës së shtretërve, Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet edhe me mungesë të bombolave të oksigjenit. Madje personeli shëndetësor në QKUK, posaçërisht në spitalet rajonale, detyrohet t’i bartë bombolat e oksigjenit nga dhoma në dhomë, pasi shumë prej klinikave ku po trajtohen pacientët me COVID-19, nuk janë të pajisura me sistem qendror të oksigjenit.

Mungesën e bombolave të oksigjenit e konfirmon edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Në spitale nuk janë krejt dhomat të lidhura me furnizim me oksigjen. Kemi një klinikë ku janë 60 dhoma e ku vetëm 20 janë të lidhura me oksigjen qendror e në dhomat e tjera duhet të barten bobolat te pacientët. Duhet edhe fuqi punëtore për t’i dërguar bobolat te pacientët, por edhe kostoja është shumë e lartë”, tha Krasniqi për gazetën Objektiv.

Sipas Krasniqit, nevojitet një analizë e shpejtë e gjendjes, në mënyrë që sa më shpejt të nis funksionalizmi i sistemit të lëngshëm në të gjitha spitalet rajonale.

Krasniqi thotë se nevoja për oksigjeno-terapi është rritur në mënyrë enorme kohëve të fundit për shkak të numrit të madh të të infektuarave me virusin korona.

“Kemi edhe alternativa tjera tashmë kemi edhe fut në përdorim edhe disa aparatura të tjera të quajtura oksigjen-koncentrator që i kemi marrë donacion 27 copa dhe presim edhe 200 të tjera, në mënyrë që të zbusim sadopak nevojat për bombola të oksigjenit. Asnjë spital nuk ka rezervuarë të oksigjenit të lëngshëm, të gjitha spitalet furnizohen me bombola të oksigjenit dhe janë kërkesa jashtëzakonisht të mëdha për bombola”, ka shtuar Krasniqi.

Për këtë situatë të rënduar, Krasniqi ka theksuar se kanë kërkuar donacion edhe nga KFOR-i italian.

“Aktualisht ne kemi pas një kontratë për mu furnizuar me bombola të oksigjenit, ndërkohë kemi edhe lidhë edhe kontratën e dytë me operatorin e dytë të licencuar në Kosovë, por dhe përkundër këtij fakti shpenzimet janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe kemi dhe kemi vështirësi serioze për furnizim me oksigjen. Ne kemi planifikuar të blejmë disa bombola me burime vetanake dhe kemi pas një takim me komandantin e KFORIT, i cili po e shqyrton mundësinë për ta na ndihmuar dhe po tentojmë që ta shfrytëzojnë sa më racionalisht bombolat.”, ka potencuar kreu i SHSKUK-së.

Edhe gazetari Bujar Vitia e sheh si problematike mungesë e instalimit të sistemit qendror të oksigjenit nëpër klinika.

Fatkeqësisht situata me pandeminë ka rënduar shumë furnizimin me oksigjen për shkak se nuk ka bombola të mjaftueshme. SHSKUK ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare për furnizim me oksigjen, por nuk është planifikuar sasia e nevojshme për situatën me pandeminë”, thotë gazetari Vitia.

Sipas Vitisë, Kosova rrezikon të mbetet pa oksigjen tani kur po përballet me pandeminë Covid-19, pasi vendi ynë detyrohet të importoj oksigjen nga vendet e tjera meqenëse nuk ka kompani të licencuar për prodhim të oksigjenit.

“Ndërkohë SHSKUK ka dhënë edhe një tender emergjent për 3 muaj me një kompani tjetër. Fatkeqësisht njëra kompani e sjellë oksigjenin nga Maqedonia nga prodhuesi italian, kurse tjetra nga Serbia nga prodhuesi gjerman. Në Kosovë nuk kemi kompani të licencuar për prodhimin e oksigjenit medicinal. Mungesa e oksigjenit ka vështirësuar mjaft shumë funksionimin e spitaleve, pasi shumica e pacientëve me Covid-19 kanë nevojë për mbështetje me oksigjen për shkak të vështirësive në frymëmarrje”, përfundon Vitia.

Ndryshe, 20 vjet pas luftës Kosova nuk ka arritur të instalojnë sistemin qendror të furnizimit me oksigjen, ndërkohë që shumica e shteteve të rajonit e kanë zgjidhur këtë problem dhe nuk kanë nevojë për furnizim me bombola.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne