Nesër nis mësimi në kushte pandemie, MASH-i organizon sot konferencë mediesh

Shkollat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) organizon sot një konferencë për medie me rastin e fillimit të vitit shkollor 2020/2021 në kushte pandemie.

Në këtë konferencë që është paralajmëruar të nis prej orës 11:00 pritet që qytetarëve t’u drejtohen: kryeministri, Avdullah Hoti, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, kryesuesi i Kolegjiumit të DKA-ve, Besim Avdimetaj, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti

Ndryshe prej viteve të kaluara, sivjet, në prag të nisjes së mësimit apeli kryesor është kujdesi për ruajtjen e shëndetit të popullatës e veçmas të fëmijëve, duke respektuar rekomandimet shëndetësore kundër virusit vdekjeprurës Korona, i cili e ka tronditur mbarë botën.

Viti i ri shkollor fillon nesër (e hënë), në kushte pandemie përfshirë mësimin e kombinuar,  fizik në shkollë dhe online.

Sivjet, mësimi do të organizohet në dy faza për shkak të pandemisë së Koronavirusit, njoftoi të premten, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, pas takimit  të organizuar nga kryesia e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit.

Sipas njoftimit për medie, faza e parë, në të cilën janë përfshirë niveli parashkollor dhe klasat 1,2,3,6 dhe 10 fillon mësimin të hënën, më 14 shtator sipas skenarit A (me prezencë në shkollë), ndërsa klasat 4 dhe 5 fillojnë mësimin në të njëjtën datë, sipas skenarit A ose B, pra me prezencë në shkollë, ose mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje me vlerësimin e task forcës në nivel të DKA-së dhe shkollës.

Faza e dytë, fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.

Ministri Likaj me këtë rast ka thënë se, secili institucion i arsimit e ka krijuar task forcën e vet dhe varësisht prej kushteve infrastrukturore, numrit të nxënësve, por edhe përgatitjeve të cilat i kanë bërë, vendosë të organizojë mësimin sipas cilitdo skenar, për të gjitha klasat.

Të shtunën, kryeministri Hoti përmes një shkrimi në Facebook, bëri thirrje që të respektohen rekomandimet e IKSHPK-së kundër pandemisë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve dhe evitimit të mbylljes së sërishme të shkollave.

Edhe Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit janë të angazhuar maksimalisht dhe të përgatitur për të filluar vitin shkollor në kushte të pandemisë.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne