OVL e UÇK-së thonë se po përgjohen, mbetet mister personi që la dosjet e Gjykatës Speciale në këtë organizatë

UCK

Krerët Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po dyshojnë se po përcillen dhe përgjohen nga hetuesit e Gjykatës Speciale.

Madje, sipas kryetarit të kësaj organizate Hysni Gucati mbledhja e fundit e tyre u përgjua.

Ai tha për gazetën Objektiv se për këtë posedojnë edhe fotografi të personave që po i përcjellin.

“Në parkingun e veturave, veturat tona janë fotografuar dhe për to kemi edhe dëshmi dhe na kanë tregu që dy persona, janë dy makina aty që shihen në fotografi, është një llap top përpara dhe me dëgjuese në vesh. Atë ditë na kanë përgjuar tërë takimin e OVL-UCK, por edhe janë duke e përgjuar gjithë objektin. Prej ngjarjes së fundit, prej që kanë ardhë dosjet dhe prej që kanë qenë përfaqësuesit e gjykatës speciale ne jemi duke u përcjellë dhe përgjuar”, tha Gucati.

Por, në këtë organizatë ende nuk kanë njohuri se kush ishte personi i maskuar që ua solli dosjet e Gjykatës Speciale.

Madje, askush nga ta ende nuk është intervistuar nga organet e kompetente.

“Sekretari është takuar me prokurorin tonë, por edhe me ata speciales, por ende nuk është intervistuar askush. Për në është mirë me u zbulu kush është ai person. Ju bëj ftesë prokurorisë edhe policisë që ta zbulojnë sa më shpejt personin, por edhe t’i gjejnë këta persona që po na përcjellin neve”, theksoi Gucati.

Gazeta Objektiv ka pyetur policinë se a është duke u kërkuar personi që i la dosjet në OVL.

Nga ky institucion i sigurisë thonë se nuk është në është kompetencën e tyre arrestimi i personit në fjalë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju lutemi t’i adresoheni autoritetit kompetent i cili merret me trajtimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Për çështje Objektiv ka pyetur edhe zëdhënësen e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Kjo e fundit tha shkurt se nuk kanë koment për këtë çështje.

“I kemi parë raportimet në media, por nuk kemi koment për këtë temë”, tha Griep.

E Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk kanë treguar nëse janë të përfshirë në hetimin e kësaj çështje. Ky institucion ditë më parë tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me Gjykatën në Hagë lidhur me këtë çështje.

Ditë më parë një person me syze, kapelë dhe maskë ishte futur në zyrat e OVL-së së UÇK-së, duke lënë mbi 4 mijë dosje që lidhen me Gjykatën Speciale.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne