Phillips: Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore

I-patitulluar

Ish-këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, David L. Phillips, ka deklaruar se Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore – njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias ka shtuar se me përjashtim të njohjes nga Izraeli, pjesë tjetër e marrëveshjes është një rilexim i marrëveshjeve ekzistuese.

“Marrëveshja e Washingtonit është e heshtur sa i përket njohjes reciproke, e cila qëndron në thelbin e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet për targa dhe diploma janë të mira. Por ato nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të përgjithshme, për njohjen reciproke”, ka thënë Phillips në intervistën e javës për “Kohën Ditore”.

Sipas Phillips, Shtetet e Bashkuara do të duhej të lëshonin një “deklaratë të presidentit”, duke afirmuar politikën e saj karshi Kosovës dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por, siç ka thënë ai, administrata aktuale ishte e përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, në mënyrë që Trumpi të pretendojë një sukses në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve të SHBA-së, të cilat mbahen në nëntor. Teksa ka folur për elementet që duhet t’i përmbajë një marrëveshje finale dhe ligjërisht e obligueshme Phillips, i cili ka shërbyer si këshilltar i lartë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, vlerëson se Serbia është ajo që duhet të bëjë kompromise.

“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të mirëpresë flamurin e Kosovës që valëvitet jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai.

Sa i takon Kosovës, sipas Phillipsit, nuk duhet dhënë asgjë më shumë përveç riafirmimit të angazhimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne