Spanja turpëron Gjermaninë, fitojnë edhe Franca e Portugalia

Spanja 01

Spanja i jep një leksion të ashpër futbolli Gjermanisë, pasi e mposhti me rezultatin 6-0 në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas dhe i mori kreun e Grupit 4 të Ligës A, duke fituar të drejtën për të synuar triumfin në Ligën e Kombeve.

“Furia Roja” dominoi totalisht ndaj “pancerëve” dhe arriti të shënojë tre herë brenda 36 minutash, fillimisht me Alvaro Moratan e më pas me dyshen e Manchester Cityt Ferran Torres e Rodri, duke bërë gjithçka më të lehtë.

Pavarësisht ndërrimeve të Joakim Low, edhe pjesa e dytë u dominua nga Spanja, që shënoi edhe tre herë të tjera, dy herë me Ferran Torres, që kompletoi het-trikun dhe në fund më Oyarzabal, që vulosi edhe suksesin.

Vlen të theksohet se përveç rezultatit të thellë, Spanja dominoi totalisht edhe në lojë, duke mbajtur larg zonës gjermanët, që si rrallë herë vitet e fundit, nuk arritën të bëjnë asnjë goditje në kuadratin e portës së mbrojtur nga 23-vjeçari Unai Simon.

Ndonëse e kishte siguruar vendin e parë të Grupin 3 të Ligës A, Franca bëri detyrën ndaj Suedisë, duke fituar me rezultatin 4-2 me përmbysje. Nordikët kaluan të parët në avantazh me anë të Claesson që shënoi që në minutën e 5-të, por “Gjelat” e Deschamps përmbysën gjithçka brenda pjesës së parë me golat e Giroud e Pavard.

Në pjesën e dytë ishte sërish sulmuesi i Chelseas Olivier Giroud që shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Francën, ndërsa Suedia provoi të rihapë ndeshjen me anë të Quaison në minutën e 88’, por nuk ia doli të shmangë humbjen, pasi në shtesë ishte Coman që shënoi edhe golin e katërt për “Gjelat”.

Kroacia zhgënjen sërish, pasi pësoi humbjen e tretë radhazi në grup, këtë herë në “Stadjon Poljud” të Splitit përballë Portugalisë. Ballkanasit kaluan të parët në avantazh me anë të Mateo Kovacic, por në fillim të pjesës së dytë gjithçka u komplikua, pasi mesfushori Rog mori kartonin e dytë të verdhë dhe la kroatët me 10 futbollistë.

Portugalia shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike për të rikthyer baraspeshën me anë të talentit të Manchester Cityt, Ruben Dias dhe më pas për të gjetur edhe golin e avantazhit me sulmuesin Joao Felix.

Kovaçiç riktheu edhe njëherë baraspeshën për Kroacinë në minutën e 65-të, por kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, ishte sërish mbrojtësi 23-vjeçar Ruben Dias që shënoi golin e fitores për luzitanët.

Rezultatet:

Kroacia – Portugalia 2:3

Franca – Suedia 4:2

Spanja – Gjermania 6:0

Luksemburgu – Azerbajxhani 0:0

Mali i Zi – Qipro 4:0

Andorra – Letonia 0:5

Malta – Ishujt Faroe 1:1

Gjibraltari – Lihtentshajni 1:1


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Email: [email protected]


Për ne