BE

BE

Kemi plotësuar kriteret për viza

Publikuar më 02 Shtator 2010

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj tha se pala kosovare ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, ndërsa ai pret që Raporti i Progresit të Komisionit Evropian të tregojë punën e mirë të qeverisë.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” ai tha se muaji shtator mund të jetë shumë fatlum për kosovarët. Nëse ndërkombëtarët e mbajnë fjalën, qytetarët e Kosovës më nuk mund të cilësohen “të izoluar”.

Z. ministër, pritet që shumë shpejt Komisioni Evropian ta publikojë raportin e radhës për Kosovën. Çka mendoni çfarë do të jetë përmbajtja e këtij raporti?
Minisrti Beqaj:
Është e vërtetë që Raporti i Progresit është dokument shumë i rëndësishëm për shtetin, dokument i rëndësishëm i komunikimit mes Kosovës dhe Komisionit Evropian, është dokument i cili hartohet nga KE, dokument teknik i cili i vlerëson të arriturat e kohës kur raportohet, në këtë rast flasim për një periudhë njëvjeçare.
Në bazë të inputeve që na janë dhënë dhe në bazë të progresit institucional, unë besoj që Raporti i Progresit do të jetë më pozitiv sesa vitin e kaluar, sepse shumë gjëra që janë përmendur në Raportin e Progresit të vitit të kaluar janë adresuar dhe ende janë në adresim e sipër.
Ne si Ministri e Integrimit, përgjegjëse për koordinim të komunikimit me Komisionin Evropian dhe me Agjencinë Evropiane nga seanca plenare që e kishim në korrik të këtij viti, kemi hartuar një plan operativ të komunikimit me institucionet qendrore e lokale për program shtesë që kanë dalë nga ky takim, nga seanca plenare. Unë pres që deri në fund të shtatorit ne do t'i japim edhe ato shpjegime shtesë që na janë kërkuar.
Prandaj, nëse flasim për krahasimin me vitin e kaluar raporti do të duhej të ishte shumë më pozitiv.

Raporti i kaluar ka adresuar korrupsion si dhe tenderët njëburimorë. A besoni se sivjet ka përmirësim në këto pika?
Ministri Beqaj:
Është një çështje e trajtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila ka të bëjë me segmentin e bazës legjislative për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe deri në fund të muajit shtator. Qeveria e Kosovës do ta ketë plotësisht të vendosur tërë legjislacionin civil. Në shumë vizita që unë kam pasur jashtë vendit, dhe që e kam shoqëruar kryeministrin është vlerësuar shumë lart gatishmëria politike për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe përgatitjen që Qeveria po bënë në fushën e legjislacionit. Këtu flasim në mënyrë konkrete për Ligjin për Prokurimin Publik, i cili ka kaluar në qeveri që është ligj i standardeve evropiane i harmonizuar me Bashkësinë Evropiane. Kjo është kërkuar në raportin e kaluar të progresit. Njëkohësisht janë kërkuar dhe ligjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, siç janë ligji për gjykatat, për prokurorinë, për prokurorinë speciale, ligje që gjenden në Kuvendin e Kosovës.

A besoni se hetimet e nisura nga EULEX-i nëpër disa dikastere qeveritare do të ndikojnë që raporti të ketë përmbajtje negative sikurse vitin e kaluar?
Ministri Beqaj:
Unë besoj që është shumë mirë që gjërat kanë filluar të marrin kahen e duhur. Gjithashtu hetimet që kanë filluar dhe që qeveria ka dhënë konfirmimin e saj se do ta përkrahë çdo hetim që të çon në emrat e njerëzve që janë duke keqpërdorur qoftë taksat e qytetarëve të Kosovës apo donacionet nga Unioni Evropian. Unë konsideroj se këto hetime që janë duke u bërë dhe këto veprime, do të tregojnë përkushtimin e institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare për të ndalë diçka e cila me vite të tëra është shtresuar në shtetin e Kosovës.
Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është duke shkuar shumë ngadalë. Pse po ndodh një gjë e tillë?
Ministri Beqaj: Liberalizimi i vizave është proces që kërkon reforma të thella institucionale. Ai nuk nënkupton të drejtën e qytetarit për të shkuar dhe punuar, pra për të fituar lejen e qëndrimit dhe punësimit atje, por është vizitë më shumë turistike apo për të hulumtuar mundësitë e bashkëpunimeve në fusha të ndryshme ekonomike.
Si proces ai ka filluar, ne kemi pasur një komunikim të rregullt me Komisionin Evropian në fushën e parakushteve në të cilat janë vënë qeveritë e vendit për të hapur dialogun zyrtar për liberalizimin e vizave. Këtu kanë qenë kushtet siç janë hartimi i ligjeve për riatdhesim, strategjia për integrim, planin operativ për integrimin e njerëzve të kthyer në Kosovë.
Është kërkuar gjithashtu që të bëhen parapërgatitjet për hartimin e regjistrave civil dhe njëkohësisht për sigurimin e dokumenteve, qofshin ato primare apo sekondare. Kriteret janë të ashpërsuara më shumë sesa për vendet tjera sepse sa më i gjerë dhe sa më i thellë të jetë Unioni Evropian, aq më tepër thellohen edhe kriteret. Neve na është kërkuar strategjia për integrim, të cilën e kemi bërë me qeverinë, e kemi aprovuar dhe ia kemi dërguar Komisionit, pastaj është kërkuar plani operativ për integrim dhe një fond inicial, i cili kërkohet për sigurimin dhe garantimin e njerëzve të kthyer.
Mund të them që të gjitha parakushtet sa i përket hapjes zyrtare të procesit për dialogun e vizave, pra për të marrë një strategji, të ashtuquajturit udhërrëfyesit janë të plotësuar dhe ne e kemi njoftuar Komisionin Evropian për këtë.

Kur konkretisht besoni se do ta marrim strategjinë?
Ministri Beqaj:
Unë pres shpejt, nuk flas këtu me termine, por pres shpejt. Është përmendur muaji shtator nga zoti Mirel gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është përmendur nga vlerësimet që ai i ka bërë gjatë qëndrimit të tij dhe nga dëgjimet që i ka pasur nga të gjitha dikasteret e rëndësishme të qeverisë për përgatitjet që janë bërë.
Unë mund t'iu konfirmoj se nga pala kosovare të gjitha kushtet që i janë vënë Kosovës janë plotësuar. Ky proces është proces teknik dhe në procesin teknik ne kemi argumentuar se vendimi më shumë është politik sesa teknik. (Zëri)