BE

BE

Kosova dhe Sllovenia nënshkruan Marrëveshje zhvillimore bashkëpunimi

Publikuar më 13 Maj 2010 Bashkim Europiani

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Marrëveshje Kosovë-Slloveni, një kopje të të cilës e posedon gazeta përfshinë një gamë tejet të gjerë bashkëpunimi, për zhvillim në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë modernizimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës në Kosovë, përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, promovimin e investimeve produktive, modernizimin e administratës publike dhe vetëqeverisjes lokale në Kosovë, ndihmë konkrete në procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike, etj.

Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit të kaluar, Kosova nënshkroi një marrëveshje aq voluminoze bashkëpunimi dhe zhvillimi me një vend të vetëm anëtar të Bashkimit Evropian. Është fjala për Slloveninë, e cila është shteti individual me nivelim më të lartë të investimeve në Kosovën e pasluftës. Investimet sllovene në Kosovë deri më tani janë fokusuar në fushën e telefonisë mobile, internetit, sistemit bankar, prodhimin e birrës dhe fusha tjera.
Kjo marrëveshje është nënshkruar në Prishtinë nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni dhe homologu i tij slloven, Samuel Zhbogar.

Gazeta “Eko Biznesi” posedon një kopje të kësaj marrëveshje, e cila përfshinë një gamë tejet të gjerë bashkëpunimi, për zhvillim në të gjitha sferat e jetës.
Çka parasheh marrëveshja

Në Marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, thuhet se ky bashkëpunim bazohet në udhëzimet e Komitetit për Ndihmë dhe Zhvillim (DAC) të OSBE-së, bashkëpunim në mes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën Lindore, marrëveshjet ekzistuese, si dhe duke konfirmuar përpjekjet e komunitetit ndërkombëtarë në këtë fushë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje thuhet se janë dëshirat e Republikës së Sllovenisë për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës dhe ndjekjen e objektivave të zhvillimit, të mbështetur nga organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare dhe donatorët e tjerë.
Palët nënshkruese të marrëveshjes thuhet se kanë rënë dakord ”duke njohur rëndësinë e një qasje rajonale që ka për qëllim zhvillimin, duke kontribuar në paqen, sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin në rajon, dhe me qëllim të krijimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, të bazuar në partneritete transparente të zhvillimit të bashkëpunimit, që ka për qëllim të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe orientimin evropian të Republikës së Kosovës”.

Marrëveshja, sipas Lulzim Mjekut, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme (MPJ), ka për qëllim modernizimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës në Kosovë, përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe përmirësimin e përgatitjes për reagim në rast të fatkeqësive natyrore.
Sipas Mjekut, marrëveshje Kosovë- Slloveni synon edhe promovimin e investimeve produktive, modernizimin e administratës publike dhe vetëqeverisjes lokale në Kosovë, madje ajo parasheh edhe bashkëpunimi e dy shteteve për riatdhesimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, dhe ndihmë konkrete në procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike.

Mbështetja sllovene për sundimin e ligjit dhe arsimin

Shteti slloven, me këtë marrëveshje bashkëpunimi dhe zhvillimi, ka marrë për obligim që ta ndihmojë Kosovë edhe në promovimin e rolit të sundimit të ligjit, mbështetje në përmirësimin e politikave sociale, promovimin e zhvillimit ekonomik, mbështetje në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, por edhe në ngritjen e kapaciteteve administrative dhe shkencore.

Më konkretisht me këtë marrëveshje do të përfitojnë bursa edhe studentët kosovarë, për studime jashtë vendit, në kuadër të mbështetjes sllovene në fushën e arsimit, trajnimit dhe përkrahjen e rinisë, veçanërisht në kuadrin e programeve të bashkëpunimit shumëpalësh.

Trajnimi dhe arsimimi i kuadrove kosovare administrative dhe shkencore për pjesëmarrjen në programet e kërkimit dhe zhvillimit evropian, sidomos në kuadër të Programit të gjashtë Kornizë të BE-së, është pjesë tjetër e marrëveshjes.

Kosova dhe Sllovenia me këtë marrëveshje, sipas drejtorit të përgjithshëm të MPJ-së, Lulzim Mjeku, parasheh pjesëmarrje në projekte të përbashkëta që do të zbatohen nga organizatat sllovene, siç janë programet kërkimore dhe zhvillimore brenda komunitetit evropian, me theks të posaçëm në trajnim dhe punë kërkimore në Slloveni.

Praktikat e suksesshme të shtetit slloven në procesin e integrimeve evropiane, sipas marrëveshjes, do të shfrytëzohen për mbështetjen dhe trajnimin e administratës shtetërore të Kosovës, për ta ofruar vendim në afër BE-së. Praktikat sllovene në Kosovë do të përdoren edhe për reformimin e sistemit të financave publike.

Komiteti për zbatimin e marrëveshjes

Në kuadrin e zhvillimit dhe bashkëpunimit, Republika e Sllovenisë do t'i sigurojë Republikës së Kosovës, ndihmë zhvillimore të përcaktuara me shifra nga planet dhe projektet, që do të përpilohen. Nisma për zbatimin e një programi të veçantë ose të projektit do të jepen ose nga Komiteti i Përbashkët ose nga mbajtësit individual dhe ofruesit e aktiviteteve konkrete të zhvillimit të bashkëpunimit.

Prishtina dhe Lubjana zyrtare janë marrë vesh se do të vlerësojnë dhe monitorojnë programet e zhvillimit dhe projektet, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Projektet dhe aktivitetet e financuara si pjesë e programit të asistencës së zhvillimit do të jenë në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë politikat lidhur me mbrojtjen e mjedisit, barazinë gjinore, sektorin e transportit dhe rrjetin trans-evropian.

Kosova dhe Sllovenia edhe me këtë marrëveshje kanë paraparë që në këto projekte do të kenë mundësi të pranojnë mbështetje financiare nga donatorët e vendeve tjera. Mbështetja financiare nga partnerë të tjerë nuk duhet të tejkalojë 90 për qind e vlerës totale të projektit.

Për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje është paraparë të themelohet një Komiteti i përbashkët, nga dy anëtarë nga secili shtet, i ngarkuar kryesisht për të propozuar prioritetet, programet dhe projektet në fushën e bashkëpunimit për zhvillim ndërkombëtar, duke marrë parasysh vlerësimin e programeve ekzistuese.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë, do të jenë të ngarkuara për koordinimin e aktiviteteve dhe monitorimin e zbatimit të programeve të zhvillimit të bashkëpunimit.

Marrëveshja Kosovë- Slloveni është me afat të pacaktuar.