BE

BE

Luksemburgu ndërton në Kosovë 2 shkolla profesionale

Publikuar më 12 Maj 2010 Naim Gashi

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Qeveria e Luksemburgut ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për të financuar ndërtimin e dy shkollave profesionale në Kosovë, njëra në Prizren dhe tjetra në Ferizaj, në vlerë prej 8 milionë euro.
Këtij donacioni do t'i shtohen edhe 1.2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja për ndërtimin e këtyre shkollave është nënshkruar në Luksemburg nga ministri kosovar i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e Luksemburgut, Maria Jakobs.

Marrëveshja parasheh modernizimin e arsimit dhe aftësimit profesional përmes ndërtimit të dy Qendrave të Kompetencës, njëra në Prizren, që do të jetë shkollë e mesme e tregtisë dhe tjetra në Ferizaj, që do të jetë shkollë e mesme e infermierisë.

Ky projekt parasheh edhe zhvillimin e kurrikulave për të dy Qendrat e Kompetencës, trajnimin e mësimdhënësve, zhvillimin e mjeteve mësimore si dhe bashkëpunimin e këtyre qendrave me shumë shkolla profesionale në rajon dhe më gjerë.

Kosova është vendi me popullatën më të re në Evropë. Investimet në shkollat e mesme profesionale konsiderohet tepër të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi që nëpërmes këtyre shkollave do të përgatiten punëtorë të kualifikuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

Sipas ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, sistemi arsimor në Kosovë po përshtatet me nevojat e tregut të punës që do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.