BE

BE

Ministrat e BE-së mirëpritën rezolutën për Kosovën

Publikuar më 14 Shtator 2010

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Bruksel për të përgatitur samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive që mbahet të enjten, në të cilin mirëpritën rezolutën për Kosovën të miratuar në OKB.

Ndryshimi i qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës, siç është cilësuar në BE, është konsideruar nga ministrat e BE-së sukses i diplomacisë evropiane.

Kështu u shpreh gjatë takimit ministri i Jashtëm belg Steven Vanackere. Sipas tij, ministrat e jashtëm të BE-së do të vendosin më 25 tetor në Luksemburg nëse do t'ia kalojnë për shqyrtim Komisionit kërkesën për anëtarësim të paraqitur nga Serbia në dhjetor të vitit të kaluar.

Një numër vendesh anëtare janë të mendimit se gatishmëria e presidentit serb Boris Tadic për bisedime me palën kosovare "nuk duhet të mbetet pa shpërblim".

Në takimin e ministrave të BE-së, u thanë shumë lëvdata për Turqinë, ku populli turk pranoi me shumicë të qartë referendumin për kushtetutën, i cili parasheh disa ndryshime që janë edhe kërkesa të BE-së.

Megjithatë edhe ata që parimisht e mbështesin anëtarësimin e Turqisë në BE i kanë reduktuar pritjet e tyre dhe theksojnë se referendumi është vetëm një hap i vogël përpara në drejtimin e duhur.

Detyrë e takimit të ministrave të jashtëm ishte përgatitja e samitit që do të mbahet të enjten.

Në samit do të diskutohet në radhë të parë për pasojat e krizës së euros. Sekretari i shtetit në Ministrinë e jashtme gjermane Werner Hoyer kritikoi në Bruksel që grupi i punës i BE-së ende nuk ka bërë propozime konkrete për këtë temë.

Qeveria gjermane kërkon para së gjithash propozime për dënime të ashpra kundër atyre që shkelin rregullat për kufirin e deficitit.

Berlini kundërshton me vendosmëri idenë e Komisionit të BE-së për ta bërë ombrellën e shpëtimit për vendet e rrezikuara nga falimentimi një strukturë afatgjatë. Sipas Hoyer kështu Komisioni rrezikon "një konflikt institucional".