BE

BE

Komisioni Evropian brengoset për nivelin e korrupsionit në Kosovë

Publikuar më 10 Maj 2010 Naim Gashi

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në takimin në Prishtinë, ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës në kuadër të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit u vlerësua përparimi i Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të Partneritetit Evropian dhe avancimi drejt standardeve të Bashkimit Evropian, mirëpo u shpreh brengosje për nivelin e korrupsionit në vend.

Në takimin e radhës të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit (MPSA) ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, këta të fundit kanë shprehur brengën për nivelin e lartë të korrupsionit në vend.
Përfaqësues të Komisionit Evropian potencuan se fuqizimi i qeverisjes së mirë është qenësor për zhvillimin e Kosovës, ndërsa u shprehen se korrupsioni vazhdon të jetë çështje brengosëse.

Në takimin në Prishtinë, u vlerësua përparimi i Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të Partneritetit Evropian dhe avancimi drejt standardeve të Bashkimit Evropian, përfshirë rregullimet legjislative dhe institucionale.

Në këtë raund të bisedimeve diskutimet u përqendruan në fushat si respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave të minoriteteve, reforma e administratës publike, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit si dhe çështjet e punëve të brendshme.

Zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë njoftoi se pjesëmarrësit u pajtuan se fuqizimi i qeverisjes së mirë është qenësore për zhvillimin e Kosovës.

Shqetësimi për korrupsionin

Komisioni Evropian nënvizoi se pret emërimin e shpejtë të Ombudspersonit të Kosovës, pas shumë përpjekjeve të dështuara, ndërsa thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë çështje brengosëse.
Sipas tyre, përpjekjet antikorrupsion duhet të përforcohen me vendosjen e legjislacionit, institucioneve dhe procedurave adekuate.

Komisioni Evropian thuhet se lavdëroi Qeverinë e Kosovës për miratimin e udhëzimeve unilaterale për përmbushjen e kritereve për lehtësimin e vizave, pasi që masat e parapara e sjellin Kosovën në linjë me standardet evropiane.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e përkushtimit për procesin aktual të ri-emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë.

Ndërsa, autoritetet e Kosovës shprehën zotimin e tyre për të adresuar sfidat e identifikuara, për të përmirësuar kapacitetet administrative dhe për të zbatuar rekomandimet relevante të Partneritetit Evropian.
Takimi është pjesë e dialogut të vazhdueshëm mes Komisionit Evropian dhe Kosovës. Qeverisja e mirë është një nga gjashtë fushat e diskutimeve të rregullta teknike mes Komisionit Evropian dhe administratës së Kosovës.

Të gjeturat e të gjitha takimeve sektoriale të MPSA kontribuojnë drejtpërdrejt në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009 si dhe për studimin mbi progresin e Kosovës drejt integrimit me BE-në, që do të prezantohen në vjeshtë.

Mekanizmi përcjellës

Kosova në fillim të viti 2003 ka hyrë në proceset e integrimit evropian edhe zyrtarisht, nëpërmjet procesit që quhet Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Asociimit. Për mungesë të njohjeve nga 27 vendet anëtare të BE-së, Kosova nuk të drejtë që të bëjë marrëveshje kontraktuale me BE-së, e as të fillojë procesin e mirëfilltë të Stabilizim Asociimit.

MPSA i obligon institucionet e Kosovës që ta harmonizojnë legjislacionin, të ndërtojnë institucionet dhe ta ngritin kuadrin kosovar sipas standardeve evropiane.

Mekanizmi Përcjellës për Kosovën, në kornizën e BE-së është një grup punues teknik, i bashkëkryesuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian. Qëllimi i tij është përkrahja për Kosovën në reformat strukturale, që janë në përputhje me BE-në, nëpërmjet këshillave dhe udhëzimeve për politikën e punës.
Procesi i Stabilizimit dhe Asociimit është korniza e marrëdhënieve të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Objektivi i këtij procesi është stabilizimi i këtij rajoni nëpërmjet reformave politike dhe ekonomike në mënyrë që me këtë të përforcohet përparimi drejt Bashkimit Evropian.

Ky proces bazohet në pyetësorët të cilët iu shpërndahen institucioneve, organizatave dhe njerëzve të thirrur në të gjitha fushat dhe ata duhet të argumentojnë qëndrimet e tyre mbi gjendjen faktike në secilin sektor, si p.sh. për korrupsionin, keqpërdorimin e pozitës, krimin e organizuar, të drejtat e minoriteteve, kthimin e refugjatëve.

Pas mbushjes së formularëve, Komisioni Evropian dhe institucionet kosovare japin vlerësime dhe rekomandime për të ardhmen.