BE

BE

Me fondet e IPA-s ndërtohet pallati i drejtësisë në Kosovë

Publikuar më 09 Maj 2010 Naim Gashi

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kreu i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë Renzo Daviddi tha Komisioni mbetet i përkushtuar për të mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa ndërtimi i pallatit të drejtësisë me fonde nga IPA me të madhe do të përmirësojë kushtet e punës për gjykatësit, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të angazhuar në këtë sektor, si dhe do të mundësojë një qasje shumë më të mirë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Njëzet e pesë milionë euro nga fondet e Komisionit Evropian të cilat alokohen në Kosovë nëpërmes Programit të Para-Aderimit (IPA) dhe do të shpenzohen për ndërtimin e një pallati të drejtësisë. Në këtë objekt do të vendosen gjykatësit, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të angazhuar në këtë sektor.
Ndërtimi i pallatit të drejtësisë është pjesë e programit IPA për Kosovën në vlerë prej 60 milionë euro, nëpërmes të cilave Bashkimi Evropian synon përafrimin e Kosovës me BE-në.

Marrëveshje për ndërtimin e këtij objekti është nënshkruar nga Renzo Daviddi, shef i Zyrës Ndërlidhëse të KE dhe kryeministri Hashim Thaçi. Kjo është pjesa e dytë e programit për asistencë financiare për Kosovën IPA 2008. Kreu i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë Renzo Daviddi tha Komisioni mbetet i përkushtuar për të mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa ndërtimi i pallatit të drejtësisë me fonde nga IPA me të madhe do të përmirësojë kushtet e punës për gjykatësit, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të angazhuar në këtë sektor, si dhe do të mundësojë një qasje shumë më të mirë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Programi i asistencës prej 60 milionë eurosh realizon objektivat financiare afatmesme të Komisionit Evropian për periudhën 2008-2010 dhe është caktuar si prioritet për të mbështetur kriteret politike dhe ekonomike.

Projektet e përfshira në këtë program janë ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë (25 milionë euro), financimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore (25 milionë euro), si dhe kontributi prej 10 milionë euro për Fondin e mirëbesimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbështetje për menaxhimin e borxheve, të menaxhuar bashkërisht me Bankën Botërore.

Pjesa e dytë e Programit Vjetor 2008 është pjesë e zotimit prej 508 milionë eurosh nga Komisioni Evropian në Konferencën e Donatorëve për Kosovën e mbajtur në korrik të vitit 2008 në Bruksel.
Kjartan Bjornsson, shef i operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë tha se IPA është një instrument financiar i Bashkimit Evropian i cili u ndihmon vendeve aspirante dhe kandidate për të realizuar reformat e nevojshme për anëtarësim.

Ai tha se IPA është zëvendësues i programit të ndihmës së BE-së CARDS, ndërsa ndihmat financiare janë në pajtim me prioritetet e Partneritetit Evropian.

Duke folur për dallimet ndërmjet programit të tanishëm IPA me programin e mbështetjes CARDS, Bjornsson tha se më parë kanë qenë disa programe të mbështetjes për anëtarësim të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate, ndërsa IPA tani është një përmbledhje e të gjitha këtyre programeve.
Sipas tij, elementet kryesore të IPA-s janë ndihma në procesin e tranzicionit dhe ndërtimi i institucioneve, bashkëpunimi ndërkufitar, zhvillimi regjional, zhvillimi i resurseve njerëzore, zhvillimi rural.

“Përfituesit aktual të IPA-s janë vendet kandidate, Kroacia, Turqia dhe Maqedonia, mandej vendet potenciale kandidate, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova (nën Rezolutën 1244)”, tha ai.

IPA për vendet kandidate synon adoptimin dhe zbatimin e harmonizimit të legjislacionit (Acquis Communautaire), përgatitjen për zbatimin e politikave të Komunitetit bujqësor dhe të kohezionit.
Ndërsa qëllimi kryesor i IPA për vendet potenciale kandidate, siç është edhe Kosova është mbështetja për ndërtimin e institucioneve, kryerjen e reformave ekonomike, avancimi i bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit, mbështetje për rritjen e harmonizimit të legjislacionit me BE-në.

Bjornsson potencoi se dokumentet kryesore të IPA-s janë: Korniza e përgjithshme vjetore financiare, plani strategjik trevjeçar për alokimin e mjeteve, etj. Ai tha se parakushtet e financimit nga IPA, janë që përfituesit duhet të paraqesin një projekt ide dhe një kornizë të shpenzimeve, fillimisht është thelbësore të përqendrohet në diskutimet mbi objektivat, rezultatet e pritshme dhe aktivitetet e projekteve. Të gjitha elementet duhet të jenë në mënyrë të qartë lidhur prioritetet e BE-së për Kosovën (siç definohet në dokumentin e Partneritetit Evropian). Objektivat e projektit duhet gjithashtu të reflektojnë prioritetet e Kosovës.

Instrumenti i ri i Ndihmës për Para-Anëtarësim (IPA) ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2007, duke sjellë gjithë mbështetjen për para-anëtarësim në një instrument të vetëm, e të përqendruar.
Rregullorja e Këshillit Evropian për themelimin e IPA-së u miratua më 17 korrik 2006, duke zëvendësuar instrumentet financiare të para-anëtarësimit PHARE (2000-2006), ISPA, SAPARD (instrumentin financiar i veçantë për Turqinë) dhe instrumentin financiar për Ballkanin Perëndimor-CARDS.

IPA mbulon vendet me statusin e kandidatit (Kroacinë, Maqedoninë, Turqinë,) dhe vendet me status të kandidatit të mundshëm Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën.
Kandidatët e mundshëm mund të përfitojnë prej masave të ngjashme të implementuara përmes sektorit të ndihmës për tranzicion dhe ndërtim të institucioneve.

Komponenti i I-rë i IPA-s përmban projekte nacionale dhe përfituese nga disa vende. Ajo është në përgjegjësinë e Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim, i cili është përgjegjës edhe për komponentën e II-të bashkëpunimi ndërkufitar me Drejtoratin e Përgjithshëm të REGIO. Drejtorati i Përgjithshëm për Zgjerim është gjithashtu përgjegjës edhe për koordinimin e tërësishëm të Ndihmës për Para-anëtarësim.
Në periudhën prej vitit 2000 deri në 2006, 4.6 miliardë euro ndihmë janë zotuar për Ballkanin Perëndimor përmes Programit CARDS (Ndihma e Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim), i miratuar nga Këshilli Evropian më 5 dhjetor 2000.

Objektiva e gjerë e programit ishte të mbështesë pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë si dhe Serbisë e Malit të Zi, përfshirë Kosovën) në Procesin e Stabilizim- Associimit.
Më 1 korrik 2008, menaxhimi i programit CARDS në Kosovë është transferuar nga Agjencioni Evropian për Rindërtim tek Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian.