BE

BE

Mosnjohja nga 5 vendet e BE-së e ka mbyllë derën për Kosovën

Publikuar më 17 Maj 2010 Naim Gashi

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Për t'u anëtarësuar një vend në BE, nevojitet që t'i kalojnë tetë marrëveshje kontraktuale me Brukselin, siç janë: studimi i fizibilitetit, negociatat e stabilizim asociimit, marrëveshja e stabilizim asociimit, zbatimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit, aplikimi për anëtarësim, opinioni nga Komisioni Evropian, negociatat e anëtarësimit dhe në fund anëtarësimi i plotë i një vendi. Kosova ende as që i ka nisur këto punë për shkak të mungesës së njohjeve nga të gjitha 27 shtetet anëtare

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka filluar Procesin e Stabilizim Asociimit (PSA), për shkak të mosnjohjes së shtetit të ri nga pesë vende anëtare të BE-së, kurse për ta kapërcyer këtë ngërç, as institucionet kosovare, as shoqëria civile e madje, as prania evropiane në Kosovë nuk ka asnjë ide.

Përfaqësitë kryesore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Zyra e Komisionit Evropian, EULEX-i, Përfaqësuesi i Përhershëm i BE-së dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), janë pyetur nëse kanë ndonjë ide se si të tejkalohet pengesa e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, për të filluar procesin e mirëfilltë të PSA, por ata nuk kanë dashur të përgjigjen në këtë pyetje, por më tepër kanë treguar për punën e BE-së në të kaluarën dhe për principet e përgjithshme që duhet t'i plotësojë një vend aspirant për BE.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve kosovare dhe ata të shoqërisë civile janë skeptikë se mund të gjendet ndonjë zgjidhje që Kosova të bëjë marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe të ecë përpara drejt aderimit, pa pasur njohje nga pesë vendet e BE-së.

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro janë pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Fillimi i procesit të stabilizim asociimit për një vend aspirant në BE mund të fillojë vetëm me pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare dhe për këtë arsye Kosova ka mbetur e fundit në rajon, e cila nuk ka filluar PSA-në.

Në vend të kësaj, Komisioni Evropian, në nëntor të vitit 2002, ka krijuar Mekanizmin Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit (MPSA), një surrogat i PSA, i cili zyrtarisht thuhet si i ndihmon Kosovës të mos mbetet mbrapa vendeve fqinje në procesin e integrimit evropian, mirëpo në fakt Kosova nuk ka të drejtë nënshkrimi të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në, që në fakt do të thotë se është e bllokuar në këtë proces.

Pengesat kryesore

Venera Hajrullahu, drejtoreshë e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), e cila merret me çështjet e integrimit evropian, thotë se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së paraqet pengesë serioze për procesin e integrimit evropian.

Ajo i përmend dy rrafshe më problematike: atë formal, që ka të bëjë me mungesën e çfarëdo relacioni kontraktual në nivel Kosovë– BE, pra pamundësinë e avancimit formal në kuadër të Procesit të Stabilizimit, dhe në aspektin praktik si për shembull realizimi i studimit të fizibilitetit për Kosovën, pengesat në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në nisma të ndryshme rajonale, vështirësitë në lirinë e lëvizjes të shtetasve të Kosovës, konkretisht pamundësinë e avancimit të çështjes së liberalizimit të vizave, etj.

Maja Pavlovic, nga Zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë thotë se Kosova aktualisht është tërësisht pjesë e PSA-së (nën Rezolutën 1244), me përjashtim se nuk ka mundur deri më tani të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asociimit. Ajo nuk u përgjigj në pyetjen nëse Komisioni Evropian mund të gjejë ndonjë “derë anësore” për futjen e Kosovës në BE, pa pranimin e saj nga pesë vendet anëtare.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pohoi se MPSA është dizajnuar enkas për Kosovën, në mënyrë që të parandalojë që Kosova mos të mbetet mbrapa me këtë proces. Ai tha se në kuadër të këtij procesi, i cili bënë pjesë në politikën e zgjerimit të BE-së, Kosova përfiton nga instrumentet e njëjta si edhe të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
“Ne të gjithë e dimë se Kosova, deri para deklarimit të pavarësisë, ka pas një status të komplikuar. Pavarësisht kësaj, BE e ka përfshirë Kosovën në të gjitha politikat dhe iniciativat rajonale. BE gjithashtu ka qenë dhe mbetet investitori dhe partneri kryesor zhvillimor i Kosovës. Andaj, do të ishte jo e drejtë të pretendohet se BE u bënë padrejtësi kosovarëve. BE është një organizatë, e cila përbëhet nga 27 shtete sovrane dhe vendimet e rëndësishme, si politika e zgjerimit merren me unanimitet”, shprehet Kuçi.

Lidhur me mundësinë e gjetjes së ndonjë zgjidhje për fillimin e mirëfilltë të procesit të aderimit para se të gjitha vendet e BE-së ta pranojnë Kosovën, zëvendëskryeministri shprehet se kjo situatë (statusi aktual) për fat të keq vazhdon deri sa të gjitha shtetet e BE-së ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

BE nuk bindet me fjalë

Pieter Feith, në cilësinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovës tha se rruga drejt integrimit evropian për Kosovën është e gjatë dhe me sfida. Ai tha se hapat e ardhshëm në integrimin evropian përfshijnë respektimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe angazhimin për të gjitha vlerat evropiane, si liria, demokracia dhe shumetniteti.

“Gjithashtu Kosova duhet të bëjë më tepër përparim në vitet e ardhshme në fushën e qeverisjes së mirë, sundimin e ligjit, reformën ekonomike dhe fiskale, si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Përgjegjësia përfundimtare për zhvillimet në këtë drejtim i takon popullit dhe Qeverisë së Kosovës. BE-ja do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj të plotë në këtë proces”, tha Feith, duke anashkaluar pyetjen për zgjidhjen e enigmës kosovare në rrugën e integrimit.
Iliriana Kaçaniku, koordinatore e programit për integrim evropian në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), tha se për të bindur Komisionin Evropian për fillimin e PSA-së, kosovarët dhe liderët e tyre duhet të këtë qasje shumë më serioze për procesin, që nënkupton se duhet angazhim më i madh i vet administratës dhe kuadrove të reja të përgatitura dhe të motivuara për shtyrjen e procesit integrues përpara. “Komisioni Evropian bindet me rezultate praktike, e jo me fjalë”, tha ajo.

Edon Cana, drejtor i Agjencisë kosovare për Integrim Evropian, është më optimist sesa zyrtarët tjerë të institucioneve dhe ata të shoqërisë civile. Ai nuk e përjashton mundësinë që Kosova edhe me mungesën e njohjeve nga pesë vendet anëtare, mund të bëjë marrëveshje kontraktuale me BE-në. Cana pohoi se në vjeshtën e këtij viti do të kemi prezantimin e studimit të fizibilitetit nga Komisionit Evropian, për të cilin ai shpreson se do të jetë pozitiv dhe t'i hapë rrugën Kosovës në procesin e integrimit.

Anashkalimi për viza

Edhe qytetarët e Kosovës ndihen të anashkaluar nga BE-ja, pasi që vendi i tyre është i vetmi në rajon që nuk ka nënshkruar marrëveshjen për lehtësimin e dhënies së vizave, për shkak se vendi ynë nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Lehtësimi i regjimit të vizave për në BE është vetëm njëra nga pengesat e shumta që i paraqiten Kosovës në procesin e integrimit. Shenja për kalimin e kësaj pengese nuk janë duke u parë, madje Jose Luis Zapatero, kryeministri i Spanjës, njërës nga kundërshtaret më të forta të pavarësisë së Kosovës, e ka forcuar kundërshtimin e vendit të tij për njohjen e mundshme të Kosovës.

Kundërshtime të ashpra ndaj shtetit të Kosovës po vijnë edhe nga Qipro, Sllovakia dhe Rumania, ndërsa Greqia është më e përmbajtur në deklarata.

Për t'u anëtarësuar një vend në BE, nevojitet që t'i kalojnë tetë shkallë, siç janë: studimi i fizibilitetit, negociatat e stabilizim asociimit, marrëveshja e stabilizim asociimit, zbatimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit, aplikimi për anëtarësim, opinioni nga Komisioni Evropian, negociatat e anëtarësimit dhe në fund anëtarësimi i plotë i një vendi. Çka është më e keqja, Kosova ende ndodhet në shkallën zero, pra zyrtarisht nuk është pjesë e procesit të integrimit.
Dhjetëra herë është thënë nga zyrtarët më të lartë të BE-së, se Kosova nuk do të mbetet pika e zezë në rajon në procesin e integrimit, por në fakt ajo po ndodh.

Anëtarësimi i një vendi në familjen evropiane varet nga dy faktorë kryesorë: perspektiva evropiane që Brukseli zyrtar dhe vendet anëtare iu ofrojnë vendeve kandidate dhe përmbushja e kritere nga vendet aspirante.

Hapja e portës

Perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është zbehur vitin e kaluar dhe sidomos sivjet, për shkak të krizës globale financiare me të cilën po përballen e vendet e BE-së, por edhe për disa faktorë të tjerë siç janë: pengesat për zbatimin e Marrëveshjes së Lisbonës, për shkak të refuzimit nga Irlanda; mandej rritja e pesimizmit lidhur me procesin e zgjerimit pas futjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në familjen evropiane gjatë vitit 2007, lëvizja e fuqisë punëtore nga vendet e reja të BE-së drejt vendeve tjera, etj.

Deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, se pas anëtarësimit të Kroacisë, duhet thënë qartë vendeve tjera të Ballkanit se ata kanë perspektivë evropiane, por duhet të presin për një kohë, tregon se BE për disa vite të tjera nuk është e gatshme që të pranojë anëtarë të rinj.

Sipas zyrtarëve evropianë Kosova është vendi që ka përfituar më së shumti nga fondet e BE-së për kokë banori. Mirëpo, në rastin e Kosovës perspektiva për anëtarësim që ofrohet nga Brukseli, për shkak të mosnjohjes së Kosovës edhe nga pesë vende anëtare e bënë jashtëzakonisht të ndërlikuar këtë proces. Prandaj fokusi i kosovarëve duhet të jetë tek përmbushja e kritereve si një vend aspirant, derisa të hapet porta.