BE

BE

BE-ja u bë me President dhe ministër të Jashtëm

Publikuar më 17 Maj 2010

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Për herë të parë në historinë e unionit, Bashkimi Evropian do të ketë një president dhe një ministre të jashtme të zgjedhur nga shtetet anëtare. Në vend të presidencës së radhës, tani presidenti i ri, belgu Herman Van Rompuy do të ketë një mandat 2 vjet e gjysmë, ndërsa ministrja e Jashtme e BE-së, britanikja Catherine Ashton do të ketë shumë më tepër kompetenca në politikën e jashtme, për të qenë një zë unifikues në qëndrim e politikës së jashtme evropiane
Në vend të presidencës së radhës së BE-së, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së ranë dakord në takimin e tyre të posaçëm që postin e presidentit të përhershëm të Këshillit të BE-së t'ia ngarkojnë kryeministrit belg, Herman Van Rompuy, ndërsa në postin e ministres së Jashtme është emëruar papritmas britanikja Catherine Ashton, pasi që në vend të saj ishte përfolur ministri aktual i Jashtëm britanik, David Milliband.

Këto dy poste të reja krijohen në bazë të marrëveshjes për reformimin e BE-së, respektivisht nëpërmes Traktatit të Lisbonës, i cili hyn në fuqi më 1 dhjetor të këtij vit. 62-vjeçari van Rompuy, do të jetë president i Këshillit të BE-së gjatë dy viteve e gjysmë dhe do t'i drejtojë takimet e nivelit të lartë të BE-së. Kurse Ashton e cila do të marrë postin e përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë do të jetë njëkohësisht edhe zëvendëspresidente e Komisionit të BE-së.

53-vjeçarja Catherine Ashton, që nga viti 2008 është komisare e BE-së për tregtinë. Ajo u lind në mars 1956 në Upholland në veri të Anglisë. Ashton thuajse nuk ka asnjë lloj përvoje në politikën e jashtme, por konsiderohet si e besuar e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Gordon Brown.

Në vitin 1999, gjatë kohës së qeverisë së Tony Blair-it, Ashton u zgjodh si anëtare e përhershme e Dhomës së lartë të parlamentit britanik, House of Lords. Në këtë instancë ajo është angazhuar për miratimin e marrëveshjes së Lisbonës.
Në Britaninë e Madhe ajo është thuajse e panjohur, sepse nuk ka pasur ndonjë post në kabinet. Gjatë karrierës së saj ajo është angazhuar për punonjësit me të meta fizike, për probleme të shëndetësisë si dhe për ata prindër që i rrisin fëmijët pa prindin tjetër.

Zgjedhja e dy krerëve të rinj të BE-së ka ngjallur reagime të përziera në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, duke potencuar se ata kanë pak përvojë në postet të cilat do t'i mbajnë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur dy emërimet dhe kanë thënë se ato do të kontribuojnë në përforcimin e Evropës në një partner edhe më të fuqishëm.
Kritikën nga vendet e BE-së kanë pohuar se në krye të unionit vijnë njerëz relativisht të panjohur. Ata thonë se britanikja pak e njohur Lady Ashton merr postin e ministres së Jashtme, ndërkohë që kryeministri belg Harman Van Rompuy në garën presidenciale mundi ish-kryeministrin Toni Blair.

"Evropa pas mundimeve pesëvjeçare nuk mori vendim të kënaqshëm", vlerëson gazeta britanike “The Guardian”, e cila potencon se President i parë i BE-së do të jetë kryeministri belg i cili shkruan poezi dhe për të cilin dihet pak, jo vetëm në botë, por edhe në vendin e tij.

Përfaqësuese e lartë e politikës së jashtme do të jetë baronesha e zonjë laburiste, por e panjohur. Atyre askush nuk do t'ju shkojë pas në Bruksel, e lëre më në Pekin, shkruan gazeta britanike.

Analistët në vendet tjera të BE-së kanë potencuar se zgjedhja e dy figurave të panjohura në krye të BE-së e shpie kontinentin evropian edhe një hap prapa dhe lëshohet rasti i rëndësishëm që të frenohen lëvizjen e ngadaltë drejt botës ku do të dominojnë dy pole- Shtetet e Bashkuara dhe Kina.