BE

BE

Traktati i Lisbonës- kulmi i shtëpisë për 500 milionë evropianë

Publikuar më 17 Maj 2010

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Traktati i Lisbonës do të sigurojë se qytetarët evropianë do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre në çështjet evropiane dhe t'i shohin të drejtat e tyre themelore të përcaktuara në një kartë. BE-ja do të jetë e pajisur më mirë për të arritur parashikimet në fushat e energjisë, ndryshimeve klimatike, krimit ndërshtetëror dhe imigrimit. Nga këndvështrimi i Kosovës traktati është pozitiv, sepse është hequr e drejta e vetos për disa vendime nga ana e shteteve anëtare, sikur që është politika e jashtme. Megjithatë traktati nuk pamundëson kundërshtimin e pavarësisë që po bëhet tani nga 5 vende anëtare të bllokut.

Që nga 1 dhjetori i këtij viti 500 milionë evropianë do t'i rregullojnë raportet e tyre nëpërmes Traktatit të Lisbonës, i cili hyri në fuqi po atë ditë. Edhe pse nuk është kushtetutë, megjithatë Traktati i Lisbonës i ka të gjitha elementet e saj dhe që nga 1 dhjetori 2009 ai do të jetë dokumenti më i lartë kushtetues në 27 vendet anëtare të bllokut.
Ky traktat është pritur me shumë vëmendje edhe nga të gjitha vendet e Ballkanit të cilat aspirojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Ky dokument kushtetues është konsideruar nga ligjvënësit në Bruksel, si lehtësues për integrimit e Ballkanit në BE, pasi që nëpërmes tij, ballkanasit nuk do të mund t'i paraqesin pengesa për integrim njëri-tjetrit, siç ishte rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë.

Miratimi i këtij traktati, është thënë shumë herë në kryeqendrat e BE-së, se duhet të bëhet para hapit të ardhshëm, atij të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE.

Nga këndvështrimi i Kosovës traktati është pozitiv, sepse është hequr e drejta e vetos për disa vendime nga ana e shteteve anëtare, sikur që është politika e jashtme. Megjithatë traktati nuk pamundëson kundërshtimin e pavarësisë që po bëhet tani nga 5 vende anëtare të bllokut, megjithatë ai kërkon unifikim të qëndrimit të BE-së në politikën e jashtme, ndërsa dihet se në rastin e Kosovës shumica e vendeve e ka njohur pavarësinë e saj, që nënkupton se mund të rritet presioni mbi kundërshtarët e pavarësinë në BE, për t'ju bashkuar vendeve tjera që tashmë e kanë njohur Kosovën.

Hyrja në fuqi e këtij traktati është shënuar me një ceremoni në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe më pas me një ceremoni tjetër në qytetin e Lisbonës, që është organizuar bashkërisht nga Qeveria Portugeze, Presidenca Suedeze dhe Komisioni Evropian. Komisioni beson se traktati i ri ofron përfitime të reja të konsiderueshme për qytetarët dhe do të vendosë debatin institucional për të ardhmen e parashikueshme. Kjo do t'ia mundësojë Bashkimit Evropian që të përqendrohet plotësisht për të menaxhuar daljen e lehtë nga kriza ekonomike dhe financiare dhe për ta çuar përpara strategjinë e 2020-tës për zhvillim më ekologjik.

Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso pohoi se Traktati i Lisbonës i vë qytetarët në qendër të projektit evropian. Ai tha se është i gëzuar që ne tash kemi institucionet e duhura për të vepruar si dhe një periudhë të stabilitetit, kështu që mund të përqendrojmë tërë energjinë në arritjen e asaj që është e rëndësishme për qytetarët tanë.

Traktati i Lisbonës ndryshon traktatet e tanishme të BE-së dhe KE-së, pa i zëvendësuar ato. Ai do t'i ofrojë BE-së kornizën ligjore dhe mjetet e nevojshme për t'u ballafaquar me sfidat e ardhshme dhe për t'iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

Traktati i Lisbonës do të sigurojë se qytetarët evropianë do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre në çështjet evropiane dhe t'i shohin të drejtat e tyre themelore të përcaktuara në një kartë. BE-ja do të jetë e pajisur më mirë për të arritur parashikimet në fushat e energjisë, ndryshimeve klimatike, krimit ndërshtetëror dhe imigrimit. Po ashtu, do të jetë në gjendje që të flasë me zë më të fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

Kulmi për 500 milionë evropianë

719 ditë kaluan prej ditës së nënshkrimit të marrëveshjes për reformimin e BE-së deri ditën e hyrjes së saj në fuqi. Të lehtësuar, por jo me ndonjë disponim të madh për të kremtuar, deputetët evropianë filluan në Bruksel ditën e 1 dhjetorit, e cila i dha fund paraprakisht reformës së kushtetutës së BE-së.

Marrëveshja e Lisbonës është pasuese e kushtetutës së BE-së që dështoi fillimisht në vitin 2005 në referendumet popullore në Francë dhe Holandë. Por sikurse theksoi kryetari i grupit të liberalëve në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt, 1 dhjetori "është një fillim i ri për Evropën, për një union politik. Ne e patëm filluar tërë këtë proces në vitin 2000 dhe tani jam shumë i gëzuar që marrëveshja përfundimisht hyn në fuqi".

Bashkëkryetari i grupit të të gjelbërve në Parlamentin Evropian, Daniel Cohn-Bendit, shprehu gëzimin e tij që mori fund maratona e reformimit të Kushtetutës së Bashkimit Evropian. Megjithatë ai thotë se tani për tani duhet të presim për të parë se si do të vihen në jetë këto reforma.

"Marrëveshja e Lisbonës është kompromisi i një kompromisi, por ajo mund ta bëjë Bashkimin Evropian më funksional. Ajo është në gjendje- por varet se sa dëshirohet kjo."

Një prej personave më të rëndësishëm në Bashkimin Evropian do të jetë e sapoemëruara në postin e ministres së Jashtme, Catherine Ashton e cila në vendlindjen e saj, Britaninë e madhe është angazhuar shumë për ratifikimin e marrëveshjes. Në ditën e saj të parë në këtë post ajo u paraqit si mysafire nderi në Parlamentin Evropian: "Kush e ka menduar se ne do të kemi sot 500 milionë njerëz që Evropën do ta quajnë si shtëpinë e tyre. Dhe është një privilegj i madh për mua që të jem këtu në shtëpinë time për të përshëndetur këtë ditë të madhe të 1 dhjetorit 2009 në të cilën hyn në fuqi marrëveshja", tha ajo.

Ndryshimet esenciale

Bashkimi Evropian tani e tutje do të jetë më demokratik, më i hapur dhe më llogaridhënës. Parlamenti Evropian dhe parlamentet nacionale do të kenë më shumë të drejtë të shprehin mendimin e tyre në procesin vendimmarrës të BE-së dhe qytetarët do të kenë të drejtë ta dinë se çka po vendosin ministrat e tyre në nivel të BE-së. Të gjithë qytetarëve evropianë do t'u jepet mundësia për të ndikuar në ligjet e propozuara të BE-së.

Një ndryshim tjetër që sjell traktati i ri do të jetë efikasiteti, përmes institucioneve efektive dhe të organizuara mirë. Duke përfshirë vendimmarrje më të shpejtë dhe më konsisente në çështje të ligjit dhe rendit, duke i dhënë BE-së potencial më të madhe për të luftuar krimin, terrorizmin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me fushën e të drejtave të njeriut. Vlerat dhe qëllimet e BE-së do të përcaktohen më qartë se sa asnjëherë më parë. Si dhe kartës së të drejtave themelore do t'i jepet statusi i njëjtë ligjor si vetë traktateve të BE-së.

Risia tjetër do të jetë në politikën e jashtme, që e bën BE-në një aktor më i rëndësishëm global. Janë krijuar pozita të reja si pjesë e përpjekjes për të sjellë më shumë koherencë midis elementeve të ndryshme të politikës së jashtme sikurse që janë diplomacia, siguria, tregtia dhe ndihma humanitare. Këto përmirësime i japin Unionin kapacitetin për të bërë ndryshime, për t'i bërë evropianët më të sigurt dhe më të pasur dhe për të hapur mundësitë e tyre për ta formësuar globalizimin.

Data të rëndësishme, si erdhi deri te miratimi i traktatit

  • Qershor 2007: Mandati i Këshillit Evropian për një konferencë ndërqeveritare me synim për të ndryshuar traktatet ekzistuese
  • Korrik-tetor 2007: Konferenca Ndërqeveritare
    Miratimi i Traktatit të miratuar në Këshillin Evropian joformal më 18-19 tetor 2007
  • 12 dhjetor 2007: Shpallja e Kartës së të drejtave themelore nga presidentët e Parlamentit Evropian (PE), Këshilli Evropian dhe Komisionit Evropian.
  • 13 dhjetor 2007: Nënshkrimi i Traktatit të ri në Lisbonë
  • Dhjetor 2007 – Nëntor 2009: Procedurat e ratifikimit në të gjitha 27 vendet anëtare
  • 1 dhjetor 2009: Hyrja në fuqi e Traktatit