BE

BE

BE lufton ndryshimet klimatike me 7.3 miliard euro

Publikuar më 17 Maj 2010

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Me 1.3 miliard euro Britania e Madhe jep shumën më të madhe për luftimin e ndryshimeve klimaterike, e pasuar nga Gjermania dhe Franca me 1.26 miliard secila. Vendet e BE-së janë zotuar se do të reduktojnë emetimin e gazrave për 20 për qind deri në vitin 2020, por evropianët kërkojnë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe fuqitë e mëdha ekonomike, kur dihet se SHBA dhe Kina janë të dyja bashkëpërgjegjëse për më shumë se 40% të emetimit të sasisë globale të dyoksidit të karbonit. 2.4 miliard euro do të shpenzohen çdo vit për zëvendësimin e burimeve të reja me burimet e vjetra të energjisë

Bashkimi Evropian, lider botëror i luftimit të ndryshimeve klimatike, do të shpenzojë në dy vitet e ardhshme 7.3 miliardë euro për të financuar projekte që synojnë të luftojnë ndryshimet klimatike në vendet në zhvillim brenda unionit.
Ky vendim u mor nga kryeministrat dhe presidentët e 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët u mblodhën në një samit në Bruksel. Në qendër të bisedimeve të këtij samiti ishte strategjia e përbashkët e shteteve të BE-së në fazën përfundimtare të konferencës së klimës në Kopenhagë.

Në fund të këshillimeve dyditore doli një shifër konkrete: 7.3 miliardë euro. Kaq është shuma që shtetet e BE-së do t'u vënë në dispozicion vendeve në zhvillim (brenda bllokut) për mbrojtjen e klimës. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso u tregua optimist duke pohuar se është i bindur se “ky premtim do të ndikojë në bisedime”.
Kontribut vullnetar i të gjitha vendeve anëtare

Të 27 vendet anëtare janë bashkuar vullnetarisht në synimin që të kontribuojnë me shuma të ndryshme, tha kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, që mban presidencën e radhës së BE-së. Me 1.3 miliardë euro është Britania e Madhe që jep shumën më të madhe, e pasuar nga Gjermania dhe Franca me 1.26 miliard. Paratë do të jepen gjatë tre vjetëve. Në të vërtetë ato do të shpërndahen në mënyra të ndryshme brenda shteteve kombëtare, pranoi Reinfeldt.
"2.4 miliard euro që do të jepen çdo vit janë kombinim i burimeve të reja dhe të vjetra të energjisë. Por fakt është se këto para vihen në dispozicion për vitet 2010 deri 2012 në marrjen e masave për përshtatje të ndryshimit të klimës", tha kryeministri suedez.

Premtime të tjera shtesë, për reduktimin e emisioneve të dyoksidit të karbonit, nuk u bënë nga vendet e BE-së. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive mbetën në premtimet e deritanishme për reduktimin prej 20 për qind të gazrave deri në vitin 2020. Ata nënvizuan njëkohësisht se janë të gatshëm ta rrisin këtë shifër në 30 për qind, por vetëm nëse edhe të tjerët bashkëpunojnë, deklaroi kancelaria gjermane Angela Merkel.

"Ajo ç`ka kemi deri tani në tavolinë, siç është rasti me ofertën amerikane apo ofertat për shkurtimin e gazrave që ofrojnë disa vende që ndodhen në prag të industrializimit, sipas mendimit tonë, nuk është e mjaftueshme. Oferta evropiane është, se ne jemi të gatshëm që të ofrojmë 30 për qind (reduktimin e dyoksidit të karbonit deri në 2020 v.j.), nëse edhe lojtarët e tjerë të mëdhenj janë të gatshëm të ndryshojnë pozicionin e tyre", tha Merkel duke aluduar në SHBA-të, Kinën dhe Indinë.

Duhet kaluar nga fjalët në vepra

Kryeministri britanik, Gordon Brown tha se sa i përket luftës kundër ndryshimeve klimatike ka mjaft vend për bisedime. BE-ja bëri pjesën e vet, "mesazhi që i shkon gjithë botës nga Evropa është që tani është koha e veprave më shumë se e fjalëve. Kjo është koha e veprave, e përkrahur nga premtimet e mëdha", tha Brown.
Krahas diskutimeve për kostot e mbrojtjes së klimës, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së folën edhe për rrugët e daljes nga kriza ekonomike.

Vendet e BE-së duan të nënvizojnë rolin e tyre udhëheqës në mbrojtjen e klimës. Prandaj vendosën që në samitin e Brukselit të ndajnë ndihma emergjente për arritjen e këtyre objektivave. Ndihmat emergjente për periudhën prej vitit 2010 deri 2012 kapin shumën 7.3 miliard. Ndër të parat që ofruan ndihma ishin Britania e Madhe, Belgjika, Finlanda etj.
Kancelaria gjermane, Agela Merkel, pohoi se vendi i saj Gjermania do të marrë pjesë në projektet afatshkurtra dhe afatgjata në mënyrë që vendet e varfra të kenë mundësi për përgatitje në kohën e ndryshimit të klimës dhe të luftojnë këtë dukuri.

Ajo tha se duhet të vendosen themelet e një politike të re për ruajtjen e klimës. Marrëveshja pasuese e asaj të Kiotos do të hyjë në fuqi më 2013, por BE-ja do që të veprohet menjëherë.

Kancelari austriak Werner Faymann, tha se sa më parë që të fillohet luftimi i ndryshime klimatike, aq më shumë katastrofa mund të evitohen. Katastrofat e klimës nuk bëjnë pushim për shkak të ndonjë krize ekonomike, prandaj ai sugjeroi që masat të ndërmerren menjëherë.

Ministri gjerman i Mjedisit, Norbert Rottgen, u bëri thirrje SHBA-së dhe Kinës për më shumë angazhim. Të dy këto vende duhet të rrisin objektivat e tyre për reduktimin e gazrave të efektit serë, tha Röttgen në Kopenhagë. SHBA dhe Kina janë të dyja bashkë përgjegjëse për më shumë se 40% të emetimit të sasisë globale të dioksidit të karbonit. Deri tani qeveria amerikane ka pranuar të reduktojë me 3.5% emetimin e dyoksidit të karbonit deri në vitin 2020.