BE

BE

Feith mbështet riemërimin e gjyqtarëve

Publikuar më 25 Shtator 2010

Artikuj të ngjashëm

Bashkimi Evropian e mbështetë plotësisht punën e Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial (KPGJP) dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) në riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim të krijimit të një gjyqësori të pavarur dhe profesional në Kosovë, tha përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (EUSR), Pieter Feith.

Kalimi i provimit të etikës që udhëhiqet nga KPGJP-ja është pjesë e detyrueshme e procesit të verifikimit për të gjithë profesionistët që dëshirojnë të jenë pjesë e gjyqësorit të Kosovës.

Afati i fundit i aplikimit për t'iu nënshtruar këtij provimi skadon të premten, më 1 tetor 2010, ndërsa provimi do të mbahet më 16 tetor 2010.

“Procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është thelbësor për krijimin e një gjyqësori të pavarur, shumetnik dhe profesional i cili do ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian,” ka thënë Pieter Feith.

Sipas tij, besimi i publikut në institucionet gjyqësore përbën thelbin e një sistemi funksional të sundimit të ligjit i cili ofron bazat për zhvillim ekonomik. Për ta arritur këtë, Kosovës i nevojiten profesionistët më të mirë si gjyqtarë dhe prokurorë të cilët veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të lirë nga ndikimi politik.

“Ka mbetur edhe një javë para se të skadojë afati i fundit për të aplikuar për provimin e KPGJP/KGJK-së. Fuqimisht e inkurajoj pjesëmarrjen, në veçanti të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që i përkasin komunitetit serb dhe komuniteteve tjera që i plotësojnë kushtet për të marrë pjesë, dhe në këtë mënyrë të garantojnë përfaqësimin e komuniteteve të tyre përkatëse në gjyqësorin e Kosovës në të ardhmen,” ka thënë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith.