BE

BE

Veseli: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet ndaj BE-së

Publikuar më 04 Mars 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Në këtë takim u diskutua për progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane, për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeparlamentari Veseli dhe zonja Mogherini kanë diskutuar edhe për çështjen e marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me këtë rast, Kryeparlamentari Veseli ritheksoi qëndrimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Kosovës që sapo të vijë marrëveshja e shënjimit të kufirit nga Qeveria, ajo do të procedohet në seancë.

"Qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë Evropës. Prandaj, ne do t'i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj Bashkimit Evropian si institucione dhe si popull", tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli dhe znj. Mogherini kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, Kryeparlamentari Veseli i ka dhënë mbështetje dialogut duke e vlerësuar si interes të qytetarëve të dy shteteve për normalizim të raporteve.