BE

BE

Gjermania voton: Merkel në rrugë për rizgjedhjen e katërt

Publikuar më 24 Shtator 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Këtë të diele Gjermania zgjedh Bundestagun e ri. Qytetarët vendosin për përbërjen e re të parlamentit një herë në katër vjet. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti, e mund të jetë e diele ose një ditë feste, por propozohet nga kancelari. Votimet janë baza e sistemit politik të federatës. „I gjithë pushteti buron nga populli", thuhet në nenin 20 të kushtetutës gjermane.

1. Kush voton?

Të gjithë qytetarët gjermanë nga mosha 18 vjeç mund të votojnë. Nëse jetojnë në Gjermani ata marrin në kohën e duhur një njoftim votimi. Gjermanët jashtë apo ata që nga mosha 14 vjeç kanë jetuar për të paktën 3 muaj në këtë vend pa ndërprerje gjatë 25 viteve mund të votojnë, por ata duhet të tregojnë kujdes vetë që të futen në listat e votimeve.

Ka njerëz që e humbasin të drejtën e votës. Kjo prek 200.000 vetë në Gjermani, njerëz që jetojnë nën kujdesin mjekësor, si ata me aftësi të kufizuara. Rrallë ndodh në Gjermani që t'u hiqet e drejta e votimit të dënuarve. Në votimet e vitit 2017, marrin pjesë 61,5 milionë njerëz. Pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë, megjithëse krahasuar në nivel ndërkombëtar, ajo është në nivelin e duhur. 71,5% morën pjesë në votime në vitin 2013.

2. Kush zgjidhet?

Votuesit zgjedhin anëtarët e rinj të parlamentit gjerman. Në votime marrin pjesë parti politike të pranuara, që i përcaktojnë më parë kandidatët. Kush do të dalë në votime si i pavarur, duhet që të ketë në zonën e tij zgjedhore të paktën 200 përkrahës që të paraqitet si kandidat.

3. Si votohet?

Shumë vetë ende e japin votën në qendrat e votimit. Aty vullnetarët zgjedhorë kujdesen që votuesit të plotësojnë vetëm një fletë votimi, të pa shqetësuar dhe të pandikuar. Për shembull në afërsi të lokalit zgjedhor nuk lejohen postera me portrete të kandidatëve të partive politike. Kush nuk shkon dot në qendrën e votimit mund të dërgojë me postë fletën e votimit. Këtë vit ekspertët presin një rekord të votimeve me letër.

Dhënia e votës bëhet në fshehtësi, për këtë tregojnë kujdes autoritetet. Edhe fotogafimi është i ndaluar. Me ligj ndalohen edhe selfit në kutitë e votimit.

4. Pse gjermanët kanë dy vota?

Çdo votues gjerman ka dy vota. Me votën e parë ai mund të votojë për kandidatët e drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore. Në këto votime ka 299 kandidatë për secilën zonë me 250.000 banorë. Me votën e dytë vendoset kryqi tek lista e kandidatëve të një partie, kjo është më e rëndësishmja, sepse vendos për mazhorancën në parlament.

5. Kush arrin të futet në Bundestag?

Kush dhe sa deputetë futen në parlament, kjo vendoset në një proces disa fazash. Fillimisht shpërndahen vendet e përcaktuara në parlament, që janë 598, sipas ligjit gjerman, në bazë të numrit të banorëve të landeve. Në bazë të rezultatit të votës së dytë, pas zgjedhjeve përcaktohet edhe numri i deputetëve që i takojnë çdo partie.

Por për shkak se 299 kandidatë të drejtpërdrejtë futen patjetër në Bundestag, mund të ndodhë që një parti ka një numër minimal më të madh vendesh në parlament, sesa është rezultati i votës së dytë. Që të mos prishen proporcionet, Bundestagu rritet. Kjo ndodh rregullisht, sepse partitë si CDU, CSU janë të suksesshme me kandidatët e drejtpërdrejtë. Këtë herë Bundestagu mund të kapë madje 700 deputetë.

6. Kush nuk futet në parlament?

Këta janë kandidatët që humbën përballë kandidatëve të drejtpërdrejtë, dhe janë ata që në listën e partive politike qëndrojnë shumë poshtë. Në të njëjtën kohë edhe kandidatët e partive që arrijnë më pak se 5% nuk futen dot në parlament. Kjo kuotë kërkon të pengojë që parti shumë të vogla të jenë pjesë e parlamentit, sepse vështirësohet krijimi i qeverisë. Në vitin 2017 dalin në garë 42 parti.

7. Çfarë ndodh pas zgjedhjeve?

Votat jepen deri në orën 18:00. Pas kësaj numërohen votat nga ndihmësit zgjedhorë. Çdo qytetar ka të drejtë të jetë prezent në numërimin e votave. Prognozat e para dalin në orën 18:00. Rezultati përfundimtar del gati dy javë pas zgjedhjeve.

8. Ka rrezik manipulimi?

Vota në Gjermani jepet në letër, në rast dyshimi kjo është e verifikueshme. Teorikisht në transmetimin elektronik mund të ketë falsifikim të rezultateve, por ekspertët e shohin këtë rrezik si tejet minimal. Që të mos ketë dyshime, qeveria ka kërkuar që të ketë prezencë të të dërguarve të OSBE-së.

9. Si krijohet qeveria?

Partia që ka shumicën, mund të krijojë qeverinë. Por kjo aktualisht duket e pamundur, që në natën zgjedhore fillon kërkimi i kandidatëve për koalicione. Partia më e fortë merr iniciativën, nga 2005 është CDU-ja e Angela Merkelit. Kërkimi i partnerëve të koalicionit mund të zgjasë disa muaj.

10. Kush drejton qeverinë?

Në fund deputetët zgjedhin kryetaren apo kryetarin e qeverisë. Për këtë post nuk ka kufizim të mandatit. Angela Merkel ka pasur tre mandate, e ndodhet në rrugën e fitores për mandatin e katërt. (DW)