BE

BE

Macron propozon forcë të përbashkët të mbrojtjes në BE

Publikuar më 26 Shtator 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një forcë të përbashkët të mbrojtjes në Bashkimin Evropian.

Duke folur në Universitetin e Sorbonës në Paris, Macron propozoi bashkëpunim më të madh në siguri dhe në luftën kundër terrorizmit.

Ai tha se dëshiron që Bashkimi Evropian t'i shtojë sistemet e përbashkëta të mbrojtjes dhe të ketë "kapacitet autonom për veprim" nëpërmjet një force të përbashkët ushtarake.

Macron bëri thirrje për një buxhet të përbashkët të mbrojtjes dhe tha se akademia trajnuese evropiane duhet po ashtu të krijohet.

"Evropa, siç e dimë, është shumë e dobët, shumë e ngadaltë dhe shumë e paefektshme. Por, vetëm Evropa mund të na japë mjetet për të vepruar në skenën botërore teksa merremi me sfidat e mëdha të ditës", tha Macron.

Ai ka ardhur në pushtet në muajin maj duke premtuar se do të forcojë Eurozonën dhe do të thellojë integrimin evropian, përpara daljes së Britanisë nga blloku.