BE

BE

Ngathtësia e BE-së e çoi Thaçin për të kërkuar përkrahjen e SHBA-së

Publikuar më 29 Shtator 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në intervistën që presidenti Hashim Thaçi ka pasur me Zërin e Amerikës, i është përkujtuar deklarata e tij e mëhershme se "disa ndikime anti-perëndimore, si ndikimi rus apo fondamentalizmi islamik, po nxitojnë të mbushin vakuumin e krijuar nëse Brukseli nuk sheh perspektivën evropiane të rajonit".

Është pyetur se çfarë roli mund të luanin SHBA-të për ta mbushur këtë vakuum.

E Thaçi ka thënë se "pikërisht, duke u nisur nga ngathtësia dhe jo vizioni i BE-së, jam sot këtu në Washington, që të kërkoj qartë mbështetjen e SHBA-së në proceset e reja që po kalojmë".

"Sepse Kosova padrejtësisht është izoluar nga Bashkimi Evropian; padrejtësisht qytetarëve të Kosovës u mungon e drejta e lëvizjes së lirë, ne jemi të vetmit njerëz në Evropë që nuk e kemi këtë të drejtë, sepse është vënë kriteri i demarkacionit në mënyrë arbitrare në momentet e fundit dhe për shkak të reformave politike; ne e dimë gjendjen që kemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra është edhe përgjegjësi e jona që e kemi pasur për ta kryer; por ajo që mund të them, është se edhe sot Zëvendëspresidenti Pence e përshëndeti angazhimin e Kosovës në koalicionin global antiterrorist, gjithashtu edhe përpjekjet tona të vazhdueshme në luftë kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit", ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se "Kosova ka pasur suksese konkrete dhe të prekshme në luftën kundër fondamentalizmit dhe terrorizmit".

"Ne do të vazhdojmë të jemi pakompromis në këtë drejtim. Kosova është edhe targeti i terroristëve dhe fondamentalistëve; por jemi të bindur se së bashku me partnerët tanë, do të kemi sukses dhe këtë betejë do ta fitojmë bashkërisht", ka thënë ai.