BE

BE

Hoxha: Rruga drejt integrimit evropian, e vetmja alternativë - t'i shpejtojmë reformat

Publikuar më 13 Shkurt 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me moto "10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës", ku i pranishëm ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministra të Kabinetit qeveritar dhe ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe prodhuesit vendorë.

Në fjalën e saj, Hoxha theksoi se 17 shkurti i vitit 2008 shënoi një pikë kthese në historinë bashkëkohore të vendit tonë, duke kujtuar sakrificën dhe luftën që bëri populli ynë për të arritur 17 shkurtin e 2008. Ajo theksoi se nuk duhen harruar edhe ata që ndihmuan dhe kontribuuan që Kosova të bëjë këtë kthesë historike dhe të jetë shtet i pavarur.

"Ndryshimet janë të evidente dhe të pamohueshme qoftë në zhvillimin e sektorit privat, në sektorin bankar, në eksport dhe sidomos në infrastrukturën rrugore në zhvillimin urban dhe zhvillimin rural", theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se pjesë shumë e rëndësishme këtij progresi është nënshkrimi i MSA-së, marrëdhënies së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.

"Zbatimi i përpiktë i MSA do të thotë progres jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit por edhe në të gjitha fushat tjera. Ne e kemi udhërrëfyesin se cila është rruga jonë e reformave dhe ajo është MSA-ja, neve na mbetet vetëm të punojmë për të përmbushur obligimet që dalin nga ajo", theksoi Ministrja Hoxha.

Hoxha, përmendi edhe sfidat si e drejta e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian, bizneset, qytetarët, afaristët e studentët privohen nga mundësia e zhvillimit qoftë të biznesit apo të punëve të tjera në vendet e BE në mungesë të liberalizimit të vizave dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në mesin e sfidave, Ministrja Hoxha përmendi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. "Kjo është një sfidë e cila vazhdimisht përmendet në raportet e institucioneve të BE dhe sidomos në raportin për vendin".

Ministrja theksoi se të gjitha detyrat që ne duhet t'i kryejmë janë të përcaktuara qartë në MSA, Agjendën Evropiane për Reforma dhe programin për reforma ekonomike. Sa më shpejtë që këtë e bëjmë, aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE dhe aq më shumë do të avancojë Kosova jo vetëm në zhvillim ekonomik por në të gjitha fushat tjera.

Ajo ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës që të jenë unikë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së sepse "jemi popull dhe shtet evropian dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër", e kjo, sipas ministres Hoxha, "arrihet vetëm duke punuar të gjithë, me të gjitha mundësitë, së bashku, për ta bërë Kosovën vend ku sundon ligji dhe shtet atraktiv për investime".