BE

BE

Përfundon takimi Mogherini-Thaçi-Vuçiq, diskutohet marrëveshja përfundimtare

Publikuar më 24 Mars 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ka përfunduar në Bruksel takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesës së Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë e Siguri, Federica Mogherini në Bruksel.

Sipas një njoftimi të BE-së pas takimit thuhet, se Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetarja e Komisionit Evropian, u takua të premten më 23 mars me Presidentët Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe Hashim Thaçi të Kosovës.

"Ata diskutuan më tej, në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Ata shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e seancave të fundit të punës të mbajtura në Bruksel", njofton BE.

Përfaqësuesja e Lartë theksoi rëndësinë që BE i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit / Komunitetit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë dhe të vazhdojë me përfundimin e urës në Mitrovicë.

Më pas Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe kujton se përparimi i të dy vendeve në agjendat e integrimit të tyre në BE është i lidhur fort me progresin në Dialog.

Me të përfunduar takimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëroi mundësinë që qysh këtë vit të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Sa më shumë që vonohemi do të paguajmë çmimin të dyja vendet ngase do të vonohet e ardhmja jonë evropiane. Andaj mendoj se duhet të punojmë në mënyrë sa më dinamike që të arrijmë këtë marrëveshje, shpresoj këtë vit", theksoi Thaçi.

Ai tha se të dyja shtetet e dëshirojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve, ngase ajo është në interesin e Kosovës, Serbisë por edhe Bashkimit Evropian.

"Për këtë jam optimist dhe besoj se mund të arrihet një marrëveshje e paqes, stabilitetit, e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e pajtimit midis vendeve tona. Kjo është mënyra e vetme që të ecim përpara", theksoi Thaçi.

Kurse presidenti serb, Vuqiç, tha pas takimit se fakti që për pesë vjet nuk janë përmbushur gjashtë pika të marrëveshjes së Brukselit, të cilat kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave serbe, nuk mund të jetë fajtore vetëm pala shqiptare (nga Kosova), ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, për këtë zvarritje fajin e ka edhe Bashkimi Evropian si garantues i zbatimit të marrëveshjeve.

Tutje ai ka thënë se BE ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të Kosovës se duhet të lëvizin përpara me themelimin e Asociacionit.

"Nuk do t'i dëmtojmë interesat tona që dikush në BE të jetë i kënaqur", theksoi Vuqiç

Sidoqoftë, ai e ka pranuar se rruga evropiane është e rëndësishme për Serbinë.

Vazhdimi i dialogut ndërmjet dy presidentëve ka si synim avancimin e procesit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për relaksimin e raporteve reciproke.

Maja Kocijanqiç, zëdhënëse e Mogherinit ka thënë para takimit se darka e punës do të shërbejë që të dy presidentët të bisedojnë për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura.