BE

BE

Hoxhaj: Gjuha e Raportit të BE-së tregon se janë përmbushur kriteret për vizave

Publikuar më 18 Prill 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Me rastin e pranimit të Raportit të Komisionit Evropian, nga Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se ekziston një vlerësim pozitiv i Komisionit Evropian për punën që kanë bërë institucionet për plotësimin e kritereve për heqjen e vizave, ka raportuar korrespodenti i Kosova in EU.

"Pritja kryesore që e kanë qytetarët e Kosovës është procesi i liberalizimit të vizave, dhe gjuha që është përdorur në lidhje me këtë proces, në raport, është gjuhë premtuese. Ka një vlerësim pozitiv, ndërsa neve na mbetet që të bëjmë punë brenda vendit dhe na mbetet që të lobojmë tek shtetet anëtare dhe institucionet në Bruksel, me qëllim që këtë pritje të qytetarëve ta shndërrojmë në realitet gjatë vitit 2018", ka thënë Hoxhaj.

Ai ka shtuar se raporti përmban të gjetura pozitive për punët që janë kryer, si dhe përbën pasqyrë të qartë për fushat në të cilat duhet të fokusohemi më tepër, në mënyrë që të shënojmë progres.

Hoxhaj ka thënë se Qeveria do të hartojë plan veprimi për t'i adresuar fushat në të cilat mbetet ende punë për tu bërë, të cilat janë pasqyruar edhe në këtë raport.

Ambasadorja Apostolova ka thënë se raporti rikonfirmon përkushtimin e Komisionit Evropian për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e në veçanti për Kosovën.

"Raporti reflekton të arriturat e Kosovës në këtë periudhë. Ka shumë punë që mbetet për të bërë, por nuk duhen lënë anash edhe përparimet në fusha të ndryshme. U pajtuam me zëvendëskryeministrin Hoxhaj, që bashkërisht të dalim me një plan veprimi për t'i adresuar prioritetet dhe mënyrën e implementimit të tyre", ka thënë Apostolova. (Kosovain.eu)