BE

BE

Hoxha: Pas liberalizimit të vizave - statusi i kandidatit për anëtarësim në BE

Publikuar më 21 Shtator 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, si paneliste, ka mbajtur fjalë rasti, për temën "Rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian", nën organizim të Akademisë Liberale Regjionale Politike dhe përkrahjen e Fondacionit ndërkombëtar të qendrës, ku vuri në pah rëndësinë e procesit të integrimit evropian dhe përkushtimin e Qeverisë në këtë proces.

"Procesi i integrimit Evropian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit, por ende mbetet shumë për t'u bërë. Marrëveshja Stabilizim Asociimit (MSA), ka hyrë në fuqi, duke krijuar në një anë obligimet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe në anën tjetër duke përfaqësuar themelet e anëtarësimit tonë në BE", theksoi Hoxha, duke cekur se hapi i radhës më i rëndësishëm është liberalizimi i vizave.

Raporti tejet pozitiv i Komisionit Evropian, theksoi Ministrja, ka konfirmuar punën e institucioneve të Kosovës duke dëshmuar se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, gjithsej 95 për liberalizimin e vizave dhe pret që BE t'i mbaj premtimet dhe kryen detyrat e veta, qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë mundësinë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

"Kosova tani më është pjesë e Programeve të BE-së në nivelin e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së dhe shpresojmë liberalizimit të vizave, tani synimi strategjik i Qeverisë është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020", theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se integrimi evropian nuk është alternativë por rruga jonë e vetme.

Strategjia për zgjerim të BE-së, theksoi Ministrja, e bën të qartë se Kosova do të hyjë në BE sikur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po jo në gjendjen që janë tani. Kjo do të thotë shumë për Kosovën dhe mendoj se duhet parë si pozitive dhe duhet shfrytëzuar maksimalisht.

"Zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm", theksoi Ministrja Hoxha duke cekur se reformat në çdo fushë, në çdo sektor duhet të jenë në funksion të zbatimit të MSA-së sepse kjo tani për tani është rruga jonë drejt avancimit në procesin e integrimit.

Puna e institucioneve në këto fusha, vuri në dukje Ministrja Hoxha, duhet të jetë konkrete dhe të përfshijë të gjitha hallkat e zinxhirit institucional dhe krijimin e një konsensusi nacional për reformat dhe proceset që janë pjesë e rrugës sonë drejt integrimit e sidomos masave që janë pjesë e PKZMSA.

"Zbatimi i MSA-së, nuk është agjendë partiake por agjendë shtetërore, nuk është diçka për të cilën duhet të angazhohet vetëm Qeveria, por duhet të angazhohen të gjitha institucionet dhe sigurisht duhet përkrahja edhe e opozitës sidomos kur kemi të bëjmë me masat legjislative. Rruga jonë drejt integrimit nuk ka alternativë, detyrat janë të qarta dhe na mbetet që të gjithë të angazhohemi më shumë dhe të avancojmë këtë proces", theksoi Ministrja Hoxha.