BE

BE

Vetëvendosje: Fajtore mos vonesën e vizave është Qeveria, jo BE-ja

Publikuar më 29 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Lëvizja Vetëvendosje përmes deputeteve Fitore Pacolli dhe deputetes Albulena Haxhiu, organizoi konferencë mbi deklaratat e fundit nga qeveria në lidhje me liberalizimin e vizave.

"Shumë herë është festuar përfundimi i këtij procesi dhe shumë pak është punuar për përmbylljen e tij. Ky proces në fillim u përdor si premtim elektoral, më vonë u përdor si karrem për kalimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe më pas edhe si alibi për të sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e tij", ka thënë Pacolli.

Nga deklaratat e fundit të Zv.Ministrit për Punë të Jashtme Enver Hoxhaj se BE-ja po tregohet albanofobe dhe se ne na duhet ta rishikojmë qasjen ndaj saj u kuptua se qeveria ka informacione të cilat nuk po i ndan me qytetarët se disa prej shteteve kryesore të Bashkimit Europian nuk do ta mbështesin në dhjetor liberalizimin e vizave në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Deputetja Fitore Pacolli bëri me dije se, "ne kemi disa të dhëna se nga takimet e fundit teknike pas vendimit të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit, del se një numër i madh i shteteve janë kundër liberalizimit të vizave. Qeveria ka më shumë informacione, mirëpo këto nuk po i ndan me ne dhe me qytetarët e vendit, por po kërkon gjetjen e fajtorit. Nuk po konsideron veten, por qytetarët e Kosovës dhe BE-në si fajtore".

Nga sistemi i korruptuar i drejtësisë te nisma e fundit e Presidentit për shkëmbim territoresh dhe deri te skandalet e  njëpasnjëshme të pushtetit, qeveria është e gatshme të ndryshojë qasjen ndaj aleatëve tanë evropian dhe të shohë mundësinë për bashkëpunim me vende si Rusia vetëm për të mos marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

"Si të veprojë Bashkimi Evropian kur një prokuror si Blakaj detyrohet të ikë nga Kosova për shkak të kërcënimeve që merr; si të veprojë Bashkimi Evropian kur përcjell ngjarje si ajo kur policia dhe prokuroria dalin me deklarata të ndryshme në kohën kur djali i kryespiunit Shpend Maxhunit arrestohet me armë; si të veprojë Bashkimi Evropian kur kryeprokurori i shtetit Lumnezi del në mbrojtje të Shpend Maxhunit; si të veprojë Bashkimi Europian kur sheh se për pazare vëllai i Presidentit sulmon fizikisht dy persona, ndërsa kushëriri i tij, i cili është i akuzuar për keqpërdorime, vendoset në krye të KEK-ut", u shpreh deputetja Haxhiu.

Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, por kjo mund të realizohet vetëm me largimin nga pushteti të kësaj klike politike të papërgjegjshme dhe kriminale. Vetëm ajo është përgjegjëse për ngecjen e pafund të proceseve politike në Kosovë. (kosovain.eu)