BE

BE

Hahn: BE e befasuar dhe e zhgënjyer me tarifat doganore

Publikuar më 03 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Bashkimi Evropian ishte i befasuar dhe zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave doganore, ka deklaruar komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn.

Këto komente, Hahn i bëri gjatë një konference në Prishtinë pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Ai tha se heqja e barrierave tregtare është një nga qëllimet e BE-së. Hahn lavdëroi angazhimin e Kosovës në këtë drejtim ndër vite, por jo edhe vendosjen e taksës doganore.

"Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vendos tarifa prej 100 për qind. Jam në dijeni dhe të gjithë në BE jemi për vështirësitë aktuale për Kosovën. Ka nevojë që të dyja palët të adresojnë këto çështje", tha Hahn.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka sqaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për tarifën e vendosur ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Ai ka thënë se ka shumë arsye që Qeveria e Kosovës është detyruar të vendosë këtë taksë, duke veçuar politikat e Serbisë karshi shtetit të Kosovës. Andaj, sipas Haradinajt, taksa doganore 100 për qind do të shfuqizohet në momentin kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, gjatë vizitës në Prishtinë u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj. Më pas, komisioneri Hahn ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe si dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkohë, edhe deputetët serbë, që përfaqësohen përmes Listës Serbe, që nga e diela janë mbyllur në Kuvend me kërkesën që ta takojnë komisionarin Hahn dhe t'i shpjegojnë atij qëndrimin dhe shqetësimet në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën doganore prej 100 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat importohen në Kosovë.

Njëri nga deputetët, anëtar i Listës Serbe, Igor Simiq tha për Radion Evropa e Lirë se kërkojnë takim me komisionarin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare, e cila siç tha ai, po "e kërcënon popullin serb" për shkak të vendimit të Prishtinës që ta vendosë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

"Kërkesa e vetme e deputetëve të Listës Serbe të cilët ka mbi 22 orë që janë mbyllur në Kuvend, këtu në Prishtinë është që të takohemi me Johannes Hahn që t'ia transmetojmë atij shqetësimin e qytetarëve serbë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila në fakt ka bllokuar prodhimet e Serbisë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Kjo ngritë tensione mes qytetarëve duke ditur se 95 për qind e mallrave në mjediset e banuara me popullatë serbe vijnë nga Serbia", tha ai.

Simiq tha po ashtu se në vendbanimet me popullatë serbe ka mungesë të ushqimit dhe produkte të tjera.

"Kjo në përkthim do të thotë se ne qysh tani kemi mungesë të ushqimit, barnave, shtypi nuk vjen qe 12 ditë në mjediset e banuara me serbë. Pra, po shkelen të drejtat elementare të njeriut dhe dikush nga Bashkimi Evropian duhet të reagojë", tha Simiq. (REL)