BE

BE

Hoxha në Bruksel: BE-ja të mos mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës

Publikuar më 05 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën organizimin e "Friends of Europe", ka thënë të martën se Bashkimi Evropian nuk duhet të mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës, pasi që janë përmbushur të gjitha 95 kriteret për liberalizimin e vizave, ka njoftuar Ministria e Integrimit.

"Për 20 vjet ne besuam se institucionet e BE-së do të bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, dinamik, konkret dhe të arritshëm, por kjo duket e pamundur në këtë fazë dhe mund të imagjinoni se sa dëshpëruese është kjo për qytetarët tanë", ka thënë Hoxha.

Ajo ka shtuar se si mund të besohet në procesin e zgjerimit dhe konsensusin e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor nëse BE-ja nuk mund të japë përgjigje teknike për liberalizimin e vizave.

Hoxha shprehu brengën që Kosova është i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor, duke pasur vetëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar, dhe siç shihet "gjasat janë të vogla që Kosova së shpejti të ketë një perspektivë evropiane".

"Kosova po bën gjithçka për të përmbushur standardet, parimet dhe vlerat e BE, megjithatë duket sikur po i afrohemi BE-së, e ajo po ikë prej nesh. Ekzistojnë rreziqe nga politika agresive globale për të ndikuar me agjendat e veta në rajon por edhe kapacitetet e Ballkanit perëndimor për t'i rezistuar atij ndikimi janë të kufizuara", ka thënë Hoxha.

Ajo ka thënë se rreth 5 muaj më parë, Komisioni Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve nga Kosova, por nuk ka rezultate, madje pa shpjegime të arsyeshme pse BE nuk është në gjendje të mbajë premtimin e saj dhe të respektojë rregullat dhe procedurat e veta. (kosovain.eu)