BE

BE

May i mbijeton votës së mosbesimit në Britani

Publikuar më 13 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeministrja britanike, Theresa May, i ka mbijetuar një vote mosbesimi që është organizuar nga konservatorët e Partisë së saj, Tory.

Ajo ka fituar 200 vota në favor të saj, në krahasim me 117 vota tjera kundër. Për të fituar këtë proces, asaj i janë dashur 159 vota, apo gjysma e deputetëve parlamentarë, plus një tjetër votë.

Duke folur jashtë objektit të kryeministrisë në Downing Street, kryeministrja britanike ka thënë se "një numër i madh i kolegëve kanë votuar" kundër saj.

"Neve na duhet të vazhdojmë punën për të siguruar një Brexit që siguron votën", ka thënë ajo. Sipas Mayt, politikanët e të gjitha anëve duhet të bëhen bashkë për të vepruar në të mirë të interesit kombëtar.

Ndërkohë në një takim të mbyllur me ligjëvënësit e saj para se të arrijë vendimi për fatin e saj, May ka thënë se ajo nuk do të drejtojë partinë e saj në zgjedhjet e ardhshme. "Ajo ka thënë se nuk do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme", ka thënë ministrja për Punë dhe Pensione, Amber Rudd para gazetarëve.

"Ka qenë një fjalim emocional, ajo ka thënë se 'në zemrën time unë kam dëshiruar të bëj atë, mirëpo tani e di se nuk do të garoj'", ka shtuar Rudd.

Njoftimi për votën e mosbesimit ndaj saj ka ardhur vetëm dy ditë pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim se Qeveria britanike mund të tërheqë njëanshëm vendimin për t'u larguar nga blloku evropian, pa u konsultuar me shtetet tjera anëtare.

Në më pak se katër muaj para se Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars, largimi i shtetit të saj nga blloku evropian është në kaos, për shkak të mundësive të shumta të divorcit.

Marrëveshja e negociuar me BE-në duhet të mbështetet nga deputetët e shumicës në Parlamentin britanik, për të hyrë në fuqi.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.