BE

BE

Tarifa lë nën hije takimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së për MSA-në

Publikuar më 17 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë diskutuar në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes së vetme korntraktuale që është nënshkruar deri më tash, atë të Stabilizim Asocimit. Njëherësh është bërë edhe një vlerësim i përmbushjes së agjendës evropiane.

Në Bruksel, po qëndron delegacioni qeveritar i Kosovës i kryesuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto takime, po zhvillohen në kohën kur Bashkimi Evropian po insiston që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë vendimin për tarifën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas takimit të MSA-së, kryeministri i Kosovës Ramush Hardanaj tha se Kosova ka disa kërkesa legjitime ndaj Bashkimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar. Ai rikujtoi edhe faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i kishte kërkuar Bashkimi Evropian.

Ai e ka quajtur të padrejtë mbajtjen e qytetarëve të Kosovës të izoluar.

Po ashtu, Haradianj tha se ka kërkuar që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rol më të madh në këtë proces. Përmes dialogut, Haradinaj tha se mund të zgjidhet edhe çështja e tarifës 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

"Ne jemi të interesuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria ka përgatitur një draft për këtë marrëveshje potenciale. Parlamenti ka votuar një delegacion dhe Qeveria merr përsipër për të përkrahur edhe presidentin edhe delegacionin në përfaqësimin e Kosovës në një materie gjithëpërfshirëse, mirëpo, nuk ka kohë të zgjidh pjesshëm problemet përfshirë edhe ato të taksës", tha Haradinaj.

Ai shtoi se këto çështje duhet të zgjidhen përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohje e Kosovës, ulëse në OKB dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Në seancën plenare të Këshillit të përbashkët të MSA-së, BE - Kosovë, e pranishme ka qenë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Përmes një komunikate për media lëshuar nga Ministria e Integrimeve ministrja Hoxha ka shpreh shqetësimin për mosmarrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, gjë e cila sipas Hoxha, vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së dhe është zhgënjyese për qytetarët.

Ministrja Hoxha ka theksuar se është përshpejtuar zbatimi i reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë kapitull pozitiv i Kosovës, ka theksuar ministrja Hoxha, duke cekur pengesat që Kosova ka hasur në tregtinë e lirë.

"Kosova ka miratuar Pakon e ligjeve për Reformën e Administratës Publike dhe Programin e Menaxhimit të Financave Publike, përzgjedhjen në sektorin publik të nëpunësve civilë të lartë, racionalizimin e agjencive të pavarura për të rritur llogaridhënien, eliminimin e kompetencave të mbivendosura dhe sigurimin e një administrate publike më të strukturuar", citohet të ketë thënë Hoxha. (REL)