BE

BE

“Brexit” pa marrëveshje, BE ka gati planin për të “zbutur” impaktin

Publikuar më 20 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Komisioni Europian ka njoftuar nisjen e implementimit të përgatitjeve të saj për një "Brexit" pa marrëveshje, gjithnjë nëse Britania e Madhe do të shkëputet nga BE-ja pa një marrëveshje të rakorduar më herët midis të dyja palëve, por që nuk po ratifikohet dot në "Westminster".

Komisioni ka njoftuar masat e përkohshme në përpjekje për të reduktuar impaktin që do të ketë kjo ngjarje historike, por është i vetëdijshëm gjithashtu se nuk do të mund të zgjidhen të gjitha problemet e pritshme.

Ndërkohë që plani i propozuar nga kryeministrja May për shkëputjen ka ngecur në Parlamentin britanik, të dyja palët po përgatiten për situatën më të keqe të mundshme. Britania ka alokuar 2 miliardë paund fonde për departamentet qeveritare.

Masat e Komisionit Europian, ndërkohë, kanë për synim të limitojnë kufizimet në disa fusha tejet të rëndësishme, siç janë financat dhe transporti, gjithnjë nëse "Brexit" vijon rrugëtimin drejt muajit mars pa një marrëveshje të rakorduar.

"Këto masa nuk do të kufizojnë dhe nuk mundet të kufizojnë impaktin e përgjithshëm të një skenari të mundshëm 'pa marrëveshje'", thuhet në deklaratën e Komisionit. "Kjo është thjesht një përpjekje për të kufizuar dëmet", shtoi komisioneri Valdis Dombrovskis në një konferencë shtypi, duke thënë më tej se një plan emergjence ishte i domosdoshëm "duke pasur parasysh pasigurinë e vazhdueshme në Britani", përcjell TCh.

Komisioni ka hartuar një plan me 14 masa që mbulojnë legjislacionin që do të mund të garantojë disi vazhdimësinë. Ato adresojnë 8 sektorë në veçanti, duke marrë parasysh çështje të transportit, doganave, mbrojtjes së të dhënave, shëndetin e kafshëve dhe bimëve, politikat e klimës dhe produktet kyçe financiare.