BE

BE

Hoxha në Austri, kërkon mbështetjen për liberalizimin e vizave

Publikuar më 28 Janar 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, me ç'rast ka takuar Peter Goldgruber, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë, nga i cili ka kërkuar përkrahjen e Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave, ka raportuar kosovain.eu.

"Kërkoj përkrahjen e Austrisë për votimin në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Përkrahja e Austrisë, për procesin e liberalizimit te vizave është e domosdoshme", kam thënë Hoxha.

Ajo e ka njoftuar sekretarin Austriak, për të arriturat në fushën e sigurisë, migracionin dhe në veçanti sigurisë së kufijve.

"Është e rëndësishme që BE të mbajë premtimet e dhëna dhe pas plotësimit të kritereve, të mos i ndëshkoj qytetarët tanë", ka thënë Hoxha.

Sekretari Goldgruber, e ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në procesin integrues dhe liberalizimin e  vizave për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, duke theksuar se Austria do të jetë vazhdimisht krah i fuqishëm edhe për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë qëndrimit në Austri, ka takuar Ministren e Punëve të Jashtme, austriake, Karin Kneissl, me të cilën ka diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe në veçanti liberalizimin e vizave.

"E njoha nga afër me procesin integrues, të arriturat dhe sfidat, reformat e ndërmarra dhe zbatimin e MSA-së. Të arriturat tona nuk do të ishin në këtë nivel pa përkrahjen e shteteve mike, edhe Austrisë, e cila në çdo etapë të zhvillimit të shtetit tonë, ishte krah nesh, ashtu do të ndodh edhe në të ardhmen", theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se integrimi i vendit tonë në organizatat ndërkombëtare është me prioritet si dhe heqja e barrierave që bien në kundërshtim me vlerat e BE-së. Në veçanti, Ministrja Hoxha kërkoi nga Ministrja e Jashtme e Austrisë të ndihmojë në përshpejtimin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave duke pasur parasysh rëndësinë e qëndrimit të shteteve anëtare për këtë proces.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Kneissl potencoi rëndësinë e reformave dhe zbatimi i MSA-së.  Gjithsesi, ceku ajo, Austria përkrah fuqishëm Kosovën në të gjitha angazhimet e saj, në veçanti procesin integrues dhe liberalizimin e vizave. (kosovain.eu)