BE

BE

Pse sipas Kurtit delegacioni në bisedime me Serbinë nuk është shtetëror por qeveritar

Publikuar më 03 Shkurt 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, Kuvendi i Kosovës ka votuar me 61 vota pro në lexim të parë për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Ndonëse ishin 91 deputetë në sallë, 30 nga ta nuk votuan fare, transmeton Koha.net.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ky projektligj përgënjeshtron tri pozicione paraprake që i kishin inicuesit e tij.

"E para, dialogun e udhëheqë delegacioni, na thuhej. Kjo nuk qëndron meqenëse në çdo rast kur flet për delegacionin shtetëror, ky projektligj flet për delegacionin në bashkërendim me institucionet e tjera kushtetuese si Presidenti, dhe, aq më shumë i jep të drejtë një trupi jashtë Kosovës të përcaktojë se kush përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë. Kjo thuhet në Nenin 11.2, po e lexoj: "Në rastet kur ndonjërit nga Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, etj.) i dërgohet ftesë formale nga ana e ndërmjetësuesit në procesin e Dialogut, vendimi për të do të merret gjithnjë në bashkërendim dhe dakordim në mes të Delegacionit Shtetëror dhe institucionit kushtetues të ftuar." Pra, një instancë jashtë shtetit që përcakton përfaqësimin tonë, dhe, më tutje, vazhdohet me fjalinë: "Në çdo takim të tillë, përveç institucionit të ftuar të pranishëm do të jenë edhe bashkëdrejtuesit e Delegacionit Shtetëror." Ky është neni kryesor. Kërkohet të jenë të pranishëm. Pra, duan që të jenë dëshmitarë. Kaq. Është kërkesë për të qenë dëshmitarë", ka shkruar Kurti në Facebook, fjalim të cilin e mbajti mbrëmë në Kuvend.

Më tutje, shkruan Kurti, pozicioni tjetër paraprak publik që përgënjeshtrohet me këtë projektligj është ai se vendimmarrja do të jetë unanime.

"Nuk është e vërtetë, sepse kuorumi duhet të jetë 50% + 1. Shihni Nenin 13, nga 12 anëtarë që ka ekipi, në raundin e tretë të vendimmarrjes i jipet mundësia që me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të pranishëm të marrin vendim, që i bie me 5 anëtarë. Pra, nuk mund të ketë unanimitet kur me 5 anëtarë prej 12 gjithsej merren vendimet. Neni 13, pika 2, thotë që "Vendimet në Delegacionin Shtetëror merren me unanimitet, pajtueshmëri të të gjithë anëtarëve të tij." Pra: 100%. E, më pastaj, një pikë më vonë, kjo degradon në 42%, sepse thuhet: "Nëse pas dy tentimeve për vendimmarrje dëshmohet se unanimiteti është i pamundshëm, një vendim konsiderohet i miratuar kur i fiton votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë anëtarëve të pranishëm." 2/3 e shumicës së thjeshtë, e shumica e thjeshtë prej 12 anëtarëve është 7, 2/3 e 7 anëtarëve janë 5 veta, dhe, 5 veta pra, të delegacionit, që përbëjnë dyzet e dy për qind të delegacionit, marrin vendim në emër të shtetit të Kosovës si pjesëtarë të një delegacioni, i cili nuk i ka 50% të këtij Kuvendi. Delegacioni shtetëror, në natën e 15 dhjetorit 2018, i ka marrë 59 vota, jo 61. Pra, nuk e kanë as shumicën e thjeshtë. Me 42% të delegacionit, i cili nuk i ka as 50% të Kuvendit. Ja çfarë konsensusi do të kemi ne, nacional e shtetëror, për të cilin është trumbetuar kaq shumë!", ka thënë Kurti.

Kujtojmë se mbrëmë, gjatë debatit për këtë Projektligj, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka njoftuar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për detyrat e dialogut shtetëror për bisedimet me Serbinë.

"Dhe, pozicioni i tretë që përgënjeshtrohet është që opozita është përcaktuese në vendimmarrje. E pavërtetë sërish, sepse opozita i ka 4 anëtarë, dhe, siç e shpjeguam, këta kanë lënë mundësinë që vendimmarrja të mundësohet me 5 anëtarë prej 12 sosh sa janë total, dhe, në këtë rast, 4 votat e opozitës s'kanë asnjë mundësi të bllokimit të procesit. Kjo është pra 5 anëtarë, që është më shumë se 4 anëtarë të opozitës. Prandaj, nuk mund të quhet delegacion shtetëror. Realisht, është delegacion qeveritar. Le t'ja themi emrin siç e ka përmbajtjen", ka thënë ndër të tjera kryetari i LV-së.

Më tutje, Kurti ka thënë se është e rëndësishme të theksohet që çdo herë në Kuvendin e Republikës kur u delegohet një mision a një funksion i rëndësishëm emrave të përveçëm, atëherë duhet të vendoset me 2/3.

"Dy të tretat janë të domosdoshme pra, kur votohet për emra të përveçëm, sepse shteti ngelet në mëshirë të karaktereve njerëzore të individëve të veçantë. Pra, dy të tretat prej fillimit, jo dy të tretat në fund. Nëse duam konsensus nacional, shtetëror, për këtë çështje kaq të rëndësishme, të cilën e pohojmë të gjithë, me dy të tretat prej fillimit: dy të tretat platforma, dy të tretat ekipi negociator. Jo dy të tretat vetëm në fund. Konsensusi progresiv e do shumicën prej dy të tretave prej fillimit, jo vetëm në fund. Dhe, vëreni me kujdes, këtu përmenden dy të tretat, por a e dini për çfarë? Për koordinatorin administrativ, Neni 12, pika 1, thuhet që ai vendoset me dy të tretat. Koordinatori administrativ i delegacionit, po, dy të tretat! Dhe, kur nuk merren vesh bashkëdrejtuesit për përfaqësuesin e shoqërisë civile, Neni 6, pika 2, thuhet që sërish ai përfaqësues i shoqërisë civile përcaktohet me dy të tretat. Pra, administratori kryesor i delegacionit dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile me dy të tretat e delegacionit, por jo delegacioni me dy të tretat e Kuvendit. Kjo tregon që janë të interesuar për konsensusin e delegacionit përbrenda e jo për konsensusin e Kuvendit mbi delegacionin. Dy të tretat përmenden vetëm për çështjet e brendshme të delegacionit, jo për delegacionin në Kuvend", thotë Kurti.

Kurti thotë se më tej, Neni 11, thuhet që "Të gjitha Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës obligohen që t'i vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e prodhuar gjatë procesit të deritashëm të Dialogut Teknik, si dhe t'i mundësojnë të gjitha resurset e nevojshme sipas kërkesave së Delegacionit Shtetëror".

"Po pra, Neni 11, pika 4 e dëshmon që nevojitet kthim te dialogu gjashtëvjeçar. Kjo thuhet si nevojë, por paraprakisht është obligim. Është raporti qeveritar 41 faqësh mbi arritjet dhe sfidat e dialogut në Bruksel, 41 faqe për 33 marrëveshje. Unë nuk e kuptoj pse Kryeministri me 9 korrik të vitit kaluar na e sjellë atë raport dhe nuk insiston që ai të vijë për shqyrtim në seancë plenare këtu. Edhe Kryetari i Kuvendit njësoj. Sot një javë, bëhen shtatë muaj, që ka ardhur raporti qeveritar, por nuk trajtohet në Kuvendin e Kosovës. Më tej, të Përkufizimet, Neni 3, thuhet: faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë. Po pra, pranohet dialogu paraprak, se quhet fazë përmbyllëse. Kjo është edhe një thirrje që duhet t'i kthehemi fazave paraprake. Nuk po thuhet që është dialog i ri, është faza përmbyllëse e të njëjtit dialog. Prandaj duhet të kthehemi te raporti qeveritar, 41 faqësh, i 9 korrikut 2018, për 33 marrëveshjet e deritanishme të Brukselit. Në nenin e parë, thuhet "Kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse do të nënkuptojë njohje formale dhe reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë." Nuk përmendet fjala pavarësi. Vëreni me kujdes se ka shtete të pavarura që nuk janë republika, si puna e monarkive, por ka edhe republika që nuk janë shtete të pavarura, qysh kanë qenë ato në Federatën Jugosllave. I lihet hapësira modelit të dy Gjermanive nga viti 1972. Nuk thuhet njohja reciproke ose njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por njohja reciproke e dy republikave! Po, dy republika kanë qenë edhe në Federatën Jugosllave. Është gabim të mos theksohet fjala pavarësi. Dhe, e vërejta, as serbisht as anglisht nuk thuhet fjala pavarësi, pra nuk është gabim. Dikush është kujdesur që ajo fjalë të mos jetë aty", thotë Kurti ndër të tjera.

Më tej, shkruan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në Nenin 5, thuhet që "Përfaqësuesi i shoqërisë civile do të emërohet nga Delegacioni Shtetëror".

"Shumica e anëtarëve të delegacionit shtetëror, siç po quhet, kanë qenë pjesëtarë të shoqërisë civile dikur. E kanë lënë shoqërinë civile, dhe, tash këta duan ta përcaktojnë se kush do të jetë përfaqësues i shoqërisë civile. Kjo është konflikt interesi dhe diktat. Ata që e braktisën shoqërinë civile duan ta përcaktojnë tash se kush do të jetë ai i shoqërisë civile i cili vjen. Neni 5, Përbërja e Delegacionit Shtetëror, thuhet që delegacioni përbëhet nga përfaqësues të koalicionit qeverisës dhe të Opozitës. Unë besoj që duhet të definohet çka quajmë opozitë. Nuk mundemi kështu. Qysh është definuar çka quajmë dialog, duhet të definohet edhe çka quajmë opozitë. Aktualisht, 3 anëtarë të delegacionit shtetëror janë në një parti e cila si pjesë e koalicionit PAN ka garuar në fushatën zgjedhore të qershorit 2017. Ne duhet ta definojmë çka quajmë opozitë. Nuk mundemi kështu. Dhe, më tej, në Nenin 5, pika 6, thuhet që delegacioni shtetëror është ai i cili mund të shkarkohet nga 50% + 1, të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Po, këta nuk i kanë pasur 61 deputetë kur janë ngarkuar, pse do të duhej t'i kenë 61 kur shkarkohen? Nga 22 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, në mbrëmjen e 15 dhjetori 2018, 21 kanë votuar për delegacionin shtetëror. Vetëm znj. Flora Brovina ka abstenuar. Dhe, na thoshnin që kjo është për ta kufizuar Presidentin. Edhe mbesa e tij, znj. Thaçi, që është deputete, po ashtu e votoi delegacionin shtetëror. Edhe një dëshmi më shumë, pra, se nuk është për ta kufizuar Presidentin, por për t'ja thyer embargon atij në cilën ndodhej paraprakisht", ka thënë Kurti.

Dhe, në fund, thotë Kurti, thuhet që, pika 7.5 e Nenit 5, "Kërkesën për shkarkim të Delegacionit shtetëror, ose të anëtarëve të veçantë të tij, mund ta paraqesin Bashkëdrejtuesit e Delegacionit, si dhe 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës".

"Pse duhen dyzet deputetë, 40 deputetë, si për seancë të jashtëzakonshme?! Mezi i bënë 59, nuk ka nevojë për një numër kaq të madh. Këta janë më shumë të brengosur për unitetin e brendshëm dhe për vetveten sesa për Kosovën. Përfundimisht, qysh është i papranueshëm ky delegacion, dhe i pavlefshëm, unë besoj që edhe ky projektligj do të duhej të konsiderohej i tillë dhe të kundërshtohet. Me këtë rast, unë besoj që pati të drejtë në ofertën e tij Zëvendëskryeministri, i cili tha që duhet të përfundojë në shportë ky dhe t'ja fillojmë nga fillimi. E, fillimi është 33 marrëveshjet e deritanishme t'i shqyrtojmë, kërkesat tona ndaj Serbisë për të cilën mund të krijojmë konsensus, zgjedhjet e lira demokratike, platforma me parime, dhe ekipi negociator me udhëheqje kredibile. Ky është rendi i duhur i gjërave. Përndryshe, qasja antishtetërore po pasohet me procedura antidemokratike që ne, jo vetëm sot, por gjithmonë duhet t'ju themi jo", ka përfunduar Kurti fjalimin e tij që e mbajti mbrëmë në Kuvend, dhe që e ka publikuar sot në profilin e tij zyrtar në Facebook.