BE

BE

Ligjvënësit britanikë marrin kontrollin e Brexit-it

Publikuar më 26 Mars 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ligjvënësit britanikë votuan për të marrë përsipër kontrollin e procesit të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, apo Brexit-it.

Një gjë e tillë u jep atyre fuqinë për të mbajtur një seri votimesh, për të zhbllokuar procesin. Ligjvënësit votuan me 329 vota për dhe 302 kundër për të marrë kontrollin nga qeveria.

Një seri e të ashtuquajturave "votime treguese" do të mbahet më 27 mars për të gjetur një alternativë për marrëveshjen e kryeministres Theresa May për Brexit, e cila është refuzuar dy herë nga Parlamenti.

Alternativat përfshijnë: Brexit pa marrëveshje, Brexit më të butë, anulim të Brexit-it ose referendum të dytë.

Qeveria e Mayt premtoi se do të "angazhohet në mënyrë konstruktive" ndaj procesit, por nuk u zotua se do të miratojë çfarëdo që vendosin ligjvënësit.

Bashkimi Evropian i ka dhënë Mayt kohë deri më 12 prill, për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve britanikë për marrëveshjen që ajo ka arritur me BE-në për Brexit-in, ose për të gjetur alternativa të tjera të zbatueshme.

Në atë rast, Britania do të largohej nga blloku më 22 maj. Fillimisht ka qenë e paraparë që Brexit-i të ndodhë më 29 mars.

Britania ka votuar për daljen nga BE-ja në një referendum në vitin 2016, por negociatorët e Mayt nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje me Brukselin, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha partitë në Parlamentin britanik.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa një plan të dakorduar me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.