BE

BE

Hahn: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë kompromis, s'ka duartrokitje nga asnjëra palë

Publikuar më 18 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, ka folur rreth Samitit të organizuar në Berlin, duke demantuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për pretendimet se për takimin në Gjermani nuk kishte koordinim gjermano-amerikan, shkruan Gazeta Express.

Këto deklarime Hahn i ka bërë në një intervistë për Deutche Welle, duke thënë se sa i përket negociatave Kosovë-Serbi ka një dakoordim ndërkombëtar.

"Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme", ka thënë Hahn.

Teksa ka folur për marrëveshjen finale, Hahn ka thënë se ajo që do të duhet të nënshkruajnë Kosova dhe Serbia, nuk do të duartrokitet, dhe se për të bërë një gjë të tillë do të duhet guxim nga dy palët. Përveç guximit, Hahn thotë se të dy palët duhet të bëjnë kompromis të lëshojnë pe.

"Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut - kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar", ka potencuar ai.

Hahn ka thënë se është herët që të flitet për një zgjidhje të mundshme, megjithatë tregon se një vend të rëndësishëm në marrëveshje finale do ta ketë çështja e pakicave serbe, duke lënë të kuptohet se Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë i rëndësishëm.

"Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur", ka thënë ndër të tjera Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.

Pretendimet e Thaçit për mos koordinim të Gjermanisë dhe SHBA-së për Samitin e Berlinit, i kanë demantuar edhe nga zyra e kancelares Angela Merkel, në një përgjigje dhënë Gazetës Express.

Ata kanë thënë që përveç që ishin koordinuar për Samitin e Berlinit, kanë potencuar që janë në kontakt konstant me SHBA-në, për çështjet që kanë të bëjnë më Ballkanin Perëndimor, konkretisht dialogun Kosovë-Serbi. (DW)