BE

BE

Në Samitin e BE-së vetëm një fjali rreth zgjerimit

Publikuar më 21 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Vetëm një fjali e shkurtër i është kushtuar procesit të zgjerimit të BE-së në konkluzionet e Këshillit Evropian, më saktësisht në Samitin e shefave të shteteve dhe të qeverive, që po zhvillohet në Bruksel. Në të thuhet se "Këshilli Evropian miraton konkluzionet për zgjerimin dhe Procesin e stabilizim-asociimit të miratuara nga Këshilli më 18 qershor 2019", shkruan sot Koha Ditore.

Këshilli Evropian është në format të shefave të shteteve apo qeverive. Këshilli miratoi konkluzionet për zgjerimin e BE-së, të cilat pak a shumë ishin në përputhje me paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit, që më 29 maj i kishte miratuar dhe publikuar Komisioni Evropian.

Të zënë me tentimet për të arritur pajtim rreth zgjedhjes së presidentit të Komisionit Evropian, që është një prej posteve të para që duhet vendosur e pastaj edhe të posteve të tjera kryesore në institucionet e BE-së, liderët e shteteve anëtare nuk kanë pasur as kohë, e as ndonjë vullnet të merren me çështjen e zgjerimit.

Më herët, gjatë javës, ministrat e BE-së në takimin e Këshillit të përgjithshëm e hoqën nga rendi i ditës këtë temë, duke dështuar që ta arrijnë vendimin për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dy vende kandidate të cilat, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i kanë përmbushur kriteret e nevojshme.