BE

BE

Tahiri: Vuçiqi të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve

Publikuar më 04 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një deklarate për media, ka reaguar ndaj deklaratës politike të Presidentit Vuçiq rreth hetimeve për rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Në reagimin e tij, Ministri Tahiri ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara me angazhim të pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

"Është për keqardhje që Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet të dalë në pah. Abuzimi kaq i madh me pushtetin e tij arbitrar mbi mediat, mbi prokurorinë, gjyqësorin dhe policinë e Serbisë në tendencën për të fshehur gjurmët e krimit në rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Ivanoviq, është dëshmi e panikut që e ka kapluar mbi potencialin që ka e vërteta faktike", ka thënë Tahiri.

Ministri Tahiri thotë se Republika e Kosovës ka qenë e hapur për bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit të Serbisë për çështjen në fjalë dhe ky bashkëpunim është ndërprerë sapo janë theksuar qartë pistat e dyshimit të bazuar mbi autorin/autorët e këtij krimi që i mori jetën Ivanoviqit.

"Deklarimi i fundit i Vuçiqit në media rreth kësaj çështje, është deklarim tërësisht politik, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë. Të vetmet janë organet e zbatimit të ligjit ato që hetojnë dhe nxjerrin përfundime mbi pistat e dyshuara, mbi bazën e provave që janë nxjerrë rreth këtij rasti. Dhe një adresë e tillë tashmë ekziston. Dëshiroj t'i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim, se institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përkushtuara në mënyrë të pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. I bëj thirrje presidentit Vuçiq që të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve, sepse e drejta dhe drejtësia janë të vërteta në natyrën e tyre dhe të njëjtat tejkalojnë secilin regjim, sot apo në të ardhmen", përfundon Tahiri.