BE

BE

Zyra e BE-së kërkon të respektohet vendimi për Universitetet

Publikuar më 16 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Zyra e BE'së në Kosovë kërkon që politika t'i mbajë duart larg nga pavarësia e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Vendimin për mos akreditim të tri universiteteve publike, nga kjo Zyrë e shohin si vendim të drejtë, që me shpresë do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka tërhequr vërejtjen kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, pasi që ky i fundit ka paralajmëruar veprime ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, institucion ky që vendosi të mos akreditojë për vitin e ardhshëm akademik Universitetin e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra e BE-së thonë që duhet të respektohet vendimi i KSHC-së si një institucion i pavarur, sidomos nga akterët politik.

"Ky vendim ishte i vështirë, por i drejtë dhe në përputhje me mandatin e Agjencisë për të siguruar arsimin më cilësor. BE mbështet fuqishëm rolin dhe pavarësinë e agjencisë së akreditimit të Kosovës. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë akterët e interesuar, në veçanti nga niveli politik", thuhet në përgjigje.

Qëllim kryesor sipas përfaqësuesve të BE-së në Kosovë duhet të jetë kualiteti i lartë i arsimimit për të gjithë studentët, duke thënë se mbesin me shpresë që vendimi i marrë nga KSHC të nxis universitetet për të përmirësuar cilësinë.

"Ajo që është qëllim kryesor, është  arritja e një kualiteti më të lartë të arsimit të lartë për të gjithë studentët në Kosovë. Ky vendim me shpresë do të hapë rrugën për këto universitete që të përmirësojnë cilësinë e performancës së tyre dhe shërbimet e tyre për studentët", potencojnë nga zyra e Nataliya Apostolovës.

Ata thonë se janë në dijeni që një vendim i tillë do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik, duke shtuar se këto universitete do të vazhdojnë të operojnë me studentët të cilët tashmë janë regjistruar.

"Më 15 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka marrë vendimin për të ndaluar akreditimin e tre universiteteve publike dhe katër kolegjeve private. Ky vendim do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik. Ne kuptojmë se këto universitete do të vazhdojnë të funksionojnë dhe që studentët e regjistruar tashmë do të vazhdojnë pa ndërprerje me vitin e ardhshëm akademik", përfundon përgjigja e Zyrës së BE-së dhënë Gazetës Express.

Derisa dje Haradinaj kishte lëshuar vetëm një reagim në profilin e tij në facebook, ku paralajmëronte veprime ndaj vendimit të KSHC-së, në një konferencë për media të mbajtur sot ka qenë edhe më i ashpër, duke e quajtur Këshillin Shtetëror të Cilësisë si grup mafioz e mercenar, të cilët po i mbyllin universitetet publike për t'iu çuar studentë atyre private.