BE

BE

Situata politike mund të ketë ndikim negativ në vendimin e BE-së për vizat

Publikuar më 24 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Dorëheqja e kryeministrit përkatësisht qeverisë do të ketë ndikim edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Njohësi i integrimeve evropiane, profesor Emrush Ujkani, ndonëse situatën e krijuar nuk e lidh me atë se a i ka përmbushur Kosova kriteret për liberalizimin apo jo,  por thotë se vakumi institucional, do të ketë ndikim edhe në këtë çështje.

"Definitivisht mund të ketë implikimin e vet, në një mënyrë apo tjetër sepse Kosovës i duhet të krijojë institucionet për të garantuar stabilitet politik. Në rrethanat në të cilat jemi, nuk mund të themi që, mund vetëm ta paragjykojmë stabilitetin politik. Pra, definitivisht mendoj se një situatë e tillë mund të ndikojë në gjithë procesin dhe mund ta prolongoj" , tha ai.

Rasti i Kosovës, apo rasti i "liberalizimi i vizave për Kosovën" është rasti më kompleks i cili dëshmon mungesën e kapaciteteve të Bashkimit Evropian që të mirret me zgjidhjet e problemeve të Ballkanit Perëndimor. Nisur nga kjo njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare , profesor Avni Mazreku thotë se dorëheqja e Qeverisë nuk do të ketë implikime në këtë çështje.

"Nuk mendoj se do të ndikoj për faktin se problem nuk është te Prishtina në këtë rast, por problem është në Bruksel. Brukseli nuk ka treguar kapacitete të mjaftueshme vendim-marrëse sa i përket zgjidhjes së problemeve të hapura evropiane. Pavarësisht që Brukseli pretendon të jetë edhe faktor global, Brukseli ka dështuar plotësisht në zgjidhjen e çështjeve që janë institucionet, Ballkani Perëndimor është institucion" , tha ai.

Vetëm dy ditë para se kryeministri Haradinaj të dorëhiqej, deklaroi se liberalizimi I vizave për Kosovën është çështje javësh.