BE

BE

Heiko Maas vlerëson guximin e polakëve

Publikuar më 02 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

"Për atë që iu shkaktua polakëve nga gjermanët, mund të ndiesh vetëm turp" - me këto fjalë e kujtoi në Varshavë Ministri i Jashtëm gjerman Maas kryengritjen kundër nazistëve 75 vjet më parë.

Për Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas është e qartë: Në Gjermani duhet të jenë edhe më të vetëdijshëm për "numrin e atyre që kundërshtuan këtu në Varshavë Hitlerin". Me rastin e 75 vjetorit të Kryengritjes së Varshavës, Ministri i Jashtëm gjerman po merr pjesë në ceremonitë përkujtimore në kryeqytetin polak. Në një fjalim Maasi vlerësoi "rezistencën e jashtëzakonshme" të polakëve kundër mizorisë së nazistëve.

Ftesën në Varshavë për të përkujtuar kryengritjen ai e ndien "si një shenjë e veçantë besimi", tha Maasi pas një bisede me Ministrin e Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz. Ai është mirënjohës që Polonia dhe Gjermania sot "si fqinjë dhe miq kanë këtë besim të fortë te njeri-tjetri", shtoi Maas.

200.000 të vrarë në Varshavë

Luftëtarët polakë të rezistencës filluan me ndihmën e popullatës së Varshavës më 1 gusht 1944 një përpjekje për të dëbuar trupat gjermane nga kryeqyteti polak. Por përballë epërsisë ushtarake të gjermanëve ata qenë në gjendje të bënin pak dhe kryengritja u shtyp në mënyrë brutale.

Ushtarët polakë në Kryengritjen e Varshavës në Gusht 1944

Pas 63 ditësh, luftëtarët e rezistencës kapitulluan. Rreth 200.000 ushtarë polakë dhe civilë u vranë gjatë luftimeve, rreth gjysmë milioni u internuan më pas. Shumë u detyruan për punë me detyrim, kryesisht në kampe përqendrimi.

Në shenjë hakmarrjeje, Varshava u bë thuajse rrafsh me tokën nga nazistët. Kur pushtuesit nazistë u larguan, 90 përqind e ndërtesave të qytetit, që dikur quhej "Parisi i Lindjes", qenë të shkatërruara. Kryengritja e Varshavës në Gjermani shpesh ngatërrohet me kryengritjen në Geton e Varshavës në prill dhe maj 1943, e cila gjithashtu u shtypur me gjak nga nazistët.

Maas pranë Ministrit të Jashtëm të Polonisë Czaputowicz (M.) dhe Kryeministrit Morawiecki (r.)

Heiko Maas është pas 15 vjetësh një anëtar i nivelit të lartë të qeverisë gjermane, që merr pjesë në ceremonitë përkujtimore në përkujtim të Kryengritjes së Varshavës.  Së fundi në vitin 2004, kancelari Gerhard Schröder vizitoi kryeqytetin polak për përvjetorin e 60-të. Maasi do të përkujtojë gjithashtu viktimat e masakrës së Wola-s këtë të enjte. Në këtë lagje të Varshavës, njësitë SS vranë pak pas fillimit të kryengritjes rreth 50.000 civilë. Masakra konsiderohet një nga krimet më të mëdha të luftës së Luftës së Dytë Botërore.

Temë debati dëmshpërblimet

Në lidhje me kërkesën e Varshavës që Gjermania të paguajë dëmshpërblime për Luftën e Dytë Botërore, Maasi përsëriti qëndrimin e Qeverisë Federale se kjo temë juridikisht është "e mbyllur". Por Gjermania ishte "moralisht përgjegjëse për Luftën e Dytë Botërore dhe për atë që bëri në Poloni".

Në tërësi, në Luftën e Dytë Botërore, nga lufta, terrori dhe gjenocidi sistematik u vranë midis pesë dhe gjashtë milionë polakë, ose 15 deri në 17 për qind të popullsisë. (DW)